Vendosni fjalën kyçe....

Nafta rritet sërish në vend, arrin në rekordin e 200 lekëve për litër, shtrenjtohet 34% në dy vjet


Çmimet e naftës janë shtrenjtuar sërish në vend, për herë të dytë brenda këtij viti, duke reflektuar shtrenjtimin e karburanteve në tregjet globale, si rrjedhojë e pasojave të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Në pikat e tregtimit me pakicë , një litër naftë tregtohet me 198 lekë dhe një litër benzinë me 199 lekë, nga 192 dhe 194 lekë që ishin më parë, me një rritje prej rreth 7 lekësh.

Aktorët e tregut pohojnë se është krijuar një situatë e jashtëzakonshme për shkak të krizës Ukrainë-Rusi dhe tashmë në diskutim nuk është më çmimi, por sigurimi i produktit. Në bursat globale, ditën e sotme, nafta kërceu në nivelin e 118 dollarëve për fuçi, niveli më i lartë në 9 vite.

Tendenca e rritjes së çmimeve në vend

Në fillim të muajit shkurt nafta u rrit për herë të parë këtë vit, duke reflektuar si shtrenjtimin e saj në bursa, ashtu dhe fillimi i zbatimit të një takse të re, që parashikon indeksimin e akcizës me inflacionin, që sipas doganave kishte një efekt prej 1.33 lekë për litër pa TVSH.

Që nga viti 2021, çmimi i naftës është rritur tetë herë, duke arritur në rreth 200 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 50 lekë për litër, ose rreth 34%.

Aktualisht nafta në vend ka kapur niveleve rekord historike prej 200 lekë për litër, duke tejkaluar nivelin më të lartë prej 190 lekësh që u arrit në periudhën 2008-2009, kur ari i zi në bursa i kaloi 140 dollarë për fuçi.

Ndërsa aktualisht në bursa, nafta tregtohet me 90 dollarë për fuçi, por rritja e taksave mbi këtë produkt që nga ajo kohë ka bërë që karburanti në tregun vendas të tregtohet më shtrenjtë. Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër, pas shtrenjtimit të fundit (nga akciza, rilicencimi, skanimi, markimi), ose 38 lekë më shumë se 10 vite më parë.

Operatorët e tregut pohojnë se nëse nafta në bursat globale do të shkojë në nivelet e 130-140 dollarëve për fuçi, në tregun e brendshëm mund të arrijë në 250 lekë për litër.

Në raport me fuqinë blerëse, Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë në Europë. Operatorët e tregut pohojnë se der tani, rritja e çmimeve nuk ka ndikuar në frenimin e konsumit, pasi makina është një mjet i domosdoshëm.

Nafta në botë

Çmimi i naftës të papërpunuar Brend arriti të enjten me 118 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në nëntë vite, pasi konflikti I përshkallëzuar Rusi-Ukrainë dhe sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera ndaj Moskës krijuan ndërprerje të furnizimit dhe tregtisë.

Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën në 118.22 dollarë për fuçi në Londër, niveli më i lartë që nga shkurti i vitit 2013. Nafta e papërpunuar Brent, e njohur gjithashtu si London Brent, përbën më shumë se gjysmën e ofertës së tregtuar globalisht të naftës bruto në botë.

Në Shtetet e Bashkuara, çmimi i naftës së papërpunuar West Texas Intermediate u rrit në 114,70 dollarë për fuçi, më i larti në 11 vjet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor