Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Sanksionet nuk na ndalin, të detyruar të sulmonim Ukrainën


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në një takim me liderët e biznesit në Moskë, tha se Kremlini është detyruar të veprojë kundër Ukrainës dhe se ka llogaritur që do viheshin sanksione shkak-pasojë e këtij veprimi.

“Ne të gjithë e kuptojmë botën ku jetojmë dhe jemi të përgatitur në një mënyrë ose tjetër, për atë që po ndodh për sa i përket politikave të sanksioneve,”- tha Putin – “Rusia mbetet pjesë e ekonomisë globale”.

Putin i bëri sërish thirrje shteteve perëndimore të mos ndërhynin, përndryshe ata do të përballeshin me pasoja që nuk i kanë parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

Putin i bëri këto deklarata gjatë një takimi me liderët e konfindustrisë dhe sipërmarrjes në Rusi, gjatë të cilit ai tha se ky ‘operacion special’ – siç e quan ai sulmin e sotshëm kundër Ukrainës – ishte i pashmangshëm duke qenë se kërkesat e mëparshme të Moskës, për të garantuar që Ukraina nuk do të bëhej pjesë e NATO-s kishin “shkuar në vesh të shurdhër”.

Ndërkohë, kreu i sindikatës së industrialistëve rus, Shokhin deklaroi se Rusia tashmë duhet të stimulojë kërkesën e investitorëve privatë për bonot thesarit dhe borxhin rus, si pasojë e sanksioneve perëndimore, që janë paralajmëruar të shtohen edhe më tej duke prekur direkt logjistikën ruse dhe zinxhirin e furnizimit.