Vendosni fjalën kyçe....

Importet e energjisë rritën me 65% vlerën e garancive të buxhetit në tremujorin IV 2021


Qeveria shqiptare ofroi 81.5 milionë euro garanci sovrane vetëm në dy muajt e fundit të vitit 2021 për të mundësuar kreditë me qëllim blerjen e energjisë elektrike.

Shifrat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) tregojnë se garancitë në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë dhe Furnizuesit të Shërbimit Universal sollën një rritje të fortë të garancive buxhetore në tremujorin e fundit, duke i çuar ato në një total prej 23.4 miliardë lekësh, në rritje me 65% krahasuar me tremujorin e tretë dhe me 76% krahasuar me fundin e vitit 2020.

Ndikimin kryesor në rritjen e komponentit të garancive në borxhin publik e dhanë pikërisht kreditë për kompanitë e sektorit energjetik. Në muajin nëntor 2021, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mori dy kredi në vlerë prej 30 milionë eurosh në sistemin bankar vendas, me qëllim mbulimin e nevojave për blerjen e energjisë elektrike.

Për këto kredi, Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e garancive sovrane, përkatësisht për një hua në vlerën e 20 milionë euro nga Banka OTP Albania dhe për një hua në vlerën 10 milionë euro nga Banka Amerikane e Investimeve.

Gjatë muajit dhjetor, kompanitë e grupit OSHEE morën tre kredi të tjera, përkatësisht një kredi në shumën 20 milionë euro nga banka Intesa Sanpaolo Albania dhe dy kredi me vlerë 16.5 milionë euro dhe 15 milionë euro nga Raiffeisen Bank.

Përveç garancive për overdraftet e reja të marra nga FSHU/OSHE në dy muajt e fundit të vitit të kaluar, në regjistrin e garancive sovrane rezultojnë edhe tre kredi të mëparshme të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, të marra gjithnjë pranë bankave tregtare në Shqipëri, për një vlerë totale prej 4 miliardë lekësh.

Pjesa tjetër e garancive sovrane i takojnë dy skemave për mbështjeten e sektorit privat me kredi, që qeveria shqiptare i miratoi pas shpërthimit të pandemisë. Linja e parë u miratua në muajin prill 2020 dhe kishte si qëllim garantimin e likuiditetit të nevojshëm për shlyerjen e pagës gjatë periudhës që shumë biznese ndërprenë ose reduktuan ndjeshëm aktivitetin. Ajo kishte një vlerë limit prej 11 miliardë lekësh.

Skema e dytë e garancisë sovrane u miratua në muajin maj 2020 dhe kishte qëllim mbështetjen e rimëkëmbjes së aktivitetit të biznesit. Kjo skemë fillimisht kishte afat fundin e vitit 2020, por në muajin janar qeveria shqiptare vendosi ta shtyjë deri në 30 qershor 2021. Mbështetur në këtë skemë, qeveria mori përsipër të garantojë 60% të kredisë, ndërsa pjesën tjetër të rrezikut duhet ta merrte përsipër vetë banka kredituese.

Në fund të vitit 2021, vlera totale e garancive sovrane për dy skemat e mësipërme ishte afërsisht 9.5 miliardë lekë, në rënie me 6% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit dhe në rritje 5.5% krahasuar me fundin e vitit 2020.

Rritja vjetore lidhet me skemën e dytë të garancisë, që ishte aktive deri në mesin e vitit të kaluar. Skema e dytë përbënte rreth 85% të shumës totale të garancive për biznesin privat në fund të vitit 2021, për një shumë totale prej rreth 8.1 miliardë lekësh. Ndërsa garancitë e lidhura me skemën e parë janë në rënie graduale dhe në fund të vitit të kaluar kishin një vlerë prej 1.4 miliardë lekësh.

Garancitë sovrane kontabilizohen si pjesë integrale e borxhit publik dhe dhanë një kontribut shtesë, të paparashikuar në zgjerimin e këtij borxhi gjatë vitit të kaluar. Sipas shifrave që raporton MFE, në fund të vitit 2021 borxhi publik i vendit arriti në 1.38 trilionë lekë ose sa 78.15% e Prodhmit të Brendshëm Bruto. Në terma realë, borxhi publik u rrit me 2.5 pikë përqindje ndaj PBB-së vitin e kaluar./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor