Vendosni fjalën kyçe....

“Më fyet dhe cënuat dinjitetin, kërkoni ndjesë” – Bëri ç’bëri, Tabaku në fund detyrohet t’i kërkojë falje Ramës


Një koment nga kryetarja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët Jorida Tabakun, e irritoi kryeministrin Edi Rama. Pasi në një moment gjatë dëshmisë së tij, Tabaku tha se Rama po thoshte ato që të tjerë i kishin sugjeruar të thoshte, kryeministri tha se i ishte cënuar dinjiteti si dëshmitar.

Për disa minuta, i gjithë debati mes tij dhe Tabakut u përqendrua nëse kjo e fundit duhej t’i kërkonte ndjesë apo jo. Pasi Rama nuk pranonte të përgjigjej pa një ndjesë nga ana e kryetares së Komisionit, e cila në fund u dorëzua dhe tha: “Nëse kjo i shërben punës së këtij Komisioni, në mënyrë shumë modeste kërkoj ndjesë nëse dinjiteti juaj është cënuar rëndë nga ky koment i imi dhe ju kërkoj që t’i përgjigjeni pyetjes.”

Pjesë nga debati:

Rama: Zonjë juve bëtë një gabim në raport personal, fyet dëshmitarin. Sepse unë ju dhashë përgjigje, ndërsa ju thatë: ‘Juve kështu jua kanë thënë’. Unë kam ardhur këtu… dëshiroj vëmendjen tuaj sepse edhe kur më shikoni gaboni. Merreni me mend për gjëra të tjera.

Tabaku: Zoti dëshmitar, e kam të gjithë vëmendjen tek ju. Ju lutem fokusohemi tek përgjigja.

Rama: Juve duhet të më kërkoni një ndjesë të vogël tani siç jau kërkova unë më parë sepse më thatë që ‘juve kështu jau kanë thënë’. Dmth unë këtu nuk dhashë një përgjigje sipas jush korrekte por thjesht thashë atë që më ka instruktuar grupi kriminal. Prandaj a mund të më kërkoni një ndjesë modestisht të lehtë përpara se të vazhdoj t’i përgjigjem pyetjeve?

Tabaku: Unë do t’ju kërkoja të fokusohemi tek objekti i këtij Komisioni.

Rama: E dua një ndjesë prej jush

Tabaku: Ju lutem mund të përqendrohemi tek objekti i Komisionit Hetimor? Këto lojëra me mbetje dhe inceneratorë unë e kuptoj shumë mirë që dëshira për t’u bërë aktor, për protagonizëm

Rama: Pse i thua atij me dorë? Ai s’është aktor.

Tabaku: E kam me z.Këlliçi edhe unë.. (me ironi)

Rama: Madje ai shyqyr që nuk aktron.

Tabaku: Dëshira për protagonizëm na ka sjellë në këtë situatë… Me qetësi fokusohemi këtu tek objekti i këtij Komisioni Hetimor.

Rama: Zonjë ju thatë…

Tabaku: A keni dijeni…?

Rama: Më fal se është e rëndësishme

Tabaku: edhe për mua është shumë e rëndësishme…

Rama: Unë kam dijeni për çdo gjë që lidhet me shtetin

Tabaku: Edhe për mua është shumë e rëndësishme… tani 100 milionë Euro nga Buxheti i shtetit të paguara deri më sot për tre djegësit e mbetjeve…

Ju lutem me shumë respekt po ju dëgjoj.

Rama: Jam shumë i keqardhur t’i përgjigjem pyetjes suaj pa zgjidhur njëherë hallin tim sepse ky është një hall…

Tabaku: Këtu jemi për t’u interesuar për buxhetin e shtetit

Rama: Ky është halli i dëshmitarit tani, sepse ju i thatë që po thua ato që të tjerët ju kanë thënë. Tani ose do të më respektoni si dëshmitar dhe nuk do të komentoni më fare ato që them unë dhe nuk do më ndërprisni më, ose pastaj problemi do jetë që do rrimë këtu deri më 6 Mars dhe dua një ndjesë të vogël.

Tabaku: Do rrimë më 6 Mars dhe përtej 6 Marsit siç e kemi ndjekur këtë çështje. Z.Dëshmitar, cili është përkufizimi i ligjit për ju? Çfarë është ligji për ju

Rama: Edhe njëherë tjetër…. O Ermonela të lutem (I drejtohet Ermonela Felajt e cila ndërhyri). Unë kam ardhur i gjithi i futur në lëkurën e dëshmitarit dhe dëshmitari kërkon një ndjesë të vogël sepse dëshmitarit i thatë që nuk po thotë mendimin e vet, por po thotë diçka që ia ka thënë dikush. Duhet të ma bëni ndjesë të vogël që dëshmitari të lehtësohet nga kjo dhe të vazhdojë përgjigjen.

Tabaku: Dëshmitar fokusohemi tek objekti i këtij Komisioni Hetimor. Cili është përkufizimi që ju I jepni ligjit dhe çfarë është ligji për ju?

Rama: Para se të shkojmë tek përkufizimi i ligjit kemi problemin e formimit. Përpara bëtë një koment. The kemi formime të ndryshme… Sepse besoj se këtu unë jam i vetmi pa titullin doktor, master shkencash, profesor. Ju jeni të gjithë profesora, doktorë… Unë një bachelor kam. Po tani edhe bachelor, edhe dëshmitar, të paktën më respektoni.

Tabaku: Z.dëshmitar, pyetja ime është e qartë. Cili është përkufizimi i ligjit për ju?

Rama: Zonja Tabaku, do t’ju lutesha shumë edhe njëherë, që si dëshmitar të garantoni dinjitetin dhe integritetin e qenies sime. Duhet të më kërkoni ndjesë sepse më thatë që përgjigja ime nuk ishte e imja por ma kanë thënë të tjerë. Dua të më thoni ndjesë. Do ta bëni këtë?

Tabaku: Z.dëshmitar, mos na e mbani peng këtë Komision. Fokusohemi tek çështjet për të cilat ky Komision Hetimor është ngritur. Në asnjë moment nuk aludova se dikush ju thotë diçka ju. Besoj se është e qartë për të gjithë… Të fokusohemi këtu. Mos na nxirrni jashtë objektit hetimor.

Rama: Po e provoj ndryshe, zonja kryetare e Komisionit. Juve mbase nuk keni dashur ta thoni por ju e thatë. Dhe në momentin që ju e keqkuptuat një adresim timin unë menjëherë ju kërkova ndjesë. Unë kërkoj ndjesën tuaj dhe natyrisht mbas ndjesës mund të fokusohemi këtu. KËshtu që ka mundësi të më jepni një ndjesë shumë modeste për cënimin e dinjitetit të dëshmitarit?

Tabaku: Z.dëshmitar, unë e kuptoj që ju nuk dëshironi t’i përgjigjeni pyetjes për transfertën. Nëse kjo i shërben punës së këtij Komisioni, në mënyrë shumë modeste kërkoj ndjesë nëse dinjiteti juaj është cënuar rëndë nga ky koment i imi dhe ju kërkoj që t’i përgjigjeni pyetjes. 100 milionë Euro janë paguar nga buxheti i Shtetit, pak rëndësi ka forma e kontratës koncensionare, 35 milionë Euro janë paguar për inceneratorin, djegësin e mbetjeve të Tiranës, diferenca për inceneratorit e Fierit dhe të Elbasanit. Z.dëshmitar, ju kërkoj të përgjigjeni.

Rama: Ndjesa juaj pranohet përzemërsisht dhe unë tani menjëherë jam në dispozicion për përgjigjen. Nuk është e vërtetë ajo që thoni ju…