Vendosni fjalën kyçe....

Putin e Macron bien dakord për të ulur tensionet në Ukrainë, Biden nuk ftohet në takim


Presidenti rus Putin e homologu i tij francez Macron kanë rënë dakord të marrin masa të menjëhershme për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainën lindore, tha në një deklaratë pallati Elysee.

Gjatë bisedës së tyre telefonike të dielën, liderët kanë rënë dakord të rifillojnë punën në kuadër të formatit të Normandisë, i cili përbëhet nga lidershipi francez, gjerman, rus dhe ukrainas. Gjithashtu u vendos që një takim i grupit të kontaktit trepalësh do mbahej ‘në orët e ardhshme’ me qëllim që të ‘merret një angazhim nga të gjitha palët e interesuara’ për armëpushim.

Një takim mes ministrave të Jashtëm francez dhe rus, Jean-Yves Le Drian dhe Sergey Lavrov do të zhvillohet ‘në ditët në vijim’ me punën diplomatike që do të intensifikohet në përgjithësi, tha Paris.

Sipas presidencës franceze, ai do të përfshijë të gjithë palët e interesuara, evropianët, aleatët, rusët dhe ukrainasit, dhe do të ishte i gatshëm, në varësi të kushteve të përmbushura, të mundësonte ‘një takim në nivelin më të lartë për të përcaktuar një rend të ri paqeje dhe sigurie në Evropë’.

Kremlini, nga ana e tij, konfirmoi se ‘ishte rënë dakord për të vazhduar kontaktet në nivele të ndryshme’, por nuk dha ndonjë hollësi të veçantë mbi plane të tilla.

“Shqetësim serioz është shprehur për përkeqësimin e mprehtë të situatës në rajonin e Donbass. Presidenti i Rusisë vuri në dukje se përshkallëzimi është shkaktuar nga provokimet e forcave të sigurisë ukrainase”, tha Moska në një deklaratë.

Putini ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e Macron ‘për furnizimin e vazhdueshëm të Ukrainës me armë dhe municione moderne”’nga vendet e NATO-s. Sipas mendimit të Rusisë, këto veprime po e shtyjnë Kievin ‘drejt një zgjidhjeje ushtarake të problemit të Donbass-it’. Si rezultat i ‘shtimit të bombardimeve’, civilët në republikat e vetëshpallura separatiste në Ukrainën lindore duhej të evakuoheshin në Rusi, thuhet në deklaratë.

Menjëherë pas bisedës së tij me Putinin, Macron bisedoi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky i cili, sipas zyrës së presidentit francez, ‘konfirmoi vendosmërinë e tij për të mos reaguar ndaj provokimeve dhe për të respektuar armëpushimin’.