Vendosni fjalën kyçe....

“Mënyrë grabitje e parave tona” – Rama replika me komentuesit për inceneratorët: Akuzat tymnajë si ato të plehrave të Sharrës


Kryeministri Edi Rama është futur në diskutime me komentuesit në llogarinë e tij në “Facebook” lidhur me cështjen e inceneratorëve.

Një qytetar i shkruan kryeministrit se inceneratorët s’janë gjë tjetër veçse skemë e vjedhjes së parave të tyre.

“O njisho shif mor burrë se po ikin paratë tona po zhduken pa lon gjurmë nëpër këto të ashtuquajtura incineratorë …kush e shpiku në Shqipëri këtë mënyre grabitje të parave tona …a e di ku është çudia me ju zoti kryeminister se ju njihni edhe hajdutin e xhepave dhe nuk njihni skemën e vjedhjes me këtë stil mafioz.”-shprehet qytetari.

Kreu i qeverisë i përgjigjet atij duke i quajtur inceneratorët impiante moderne për trajtimin e mbetjeve dhe për të cilat thekson se janë investime të mëdha për të shpëtuar shumë zona nga plehrat.

Ndërsa përsa i përket akuzave për abuzime, Rama thekson se një ish ministër është vënë në pranga dhe se do të jetë drejtësia ajo që do të thotë fjalën e fundit.

“Ato të ‘ashtuquajtura inceneratorë’ janë impiante moderne trajtimi të mbetjeve, të cilat janë investime të mëdha për të shpëtuar zona të tëra të banuara nga plehrat, ndërkohë që këtu s’ka asnjë shpikje për të grabitur paratë e tua, po ka një shpifësirë politike shifrash marramendëse e akuzat monstruoze, ndërkohe që gangrenat mjedisore të plehrave si puna e Sharrës janë mbyllur dhe retë toksike të tymit nga djegia e tyre në natyrë janë zhdukur!

Është arrestuar një ish-ministër me akuzën për marrje parash nga kompania dhe për këtë drejtësia do të thotë fjalën e saj patjetër, por kjo është çështje përgjegjësie individuale para ligjit! Kurse të thuash që na qenkan vjedhur qindra miliona euro, kur veprat janë aty e kur puna e bërë është para syve, e kur ato qindra miliona euro nuk janë hiç asfare as ashtu e as aq sa thuhen, kjo është një tymnajë të cilën faktet reale dhe procesi i nisur nga organet reale hetimore, përtej farsës së shpifur të vulëhumburve politikë, do ta tresin njësoj si tymnajat e plehrave të Sharrës.”-shkruan Rama.