Vendosni fjalën kyçe....

Blinken për 14-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: Pavarësia e sovraniteti të pakthyeshme e të pacenueshme


Sekretari amerikan i Shtetit Blinken ka uruar Kosovën për 14-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

mesazhin dërguar autoriteteve, ai thekson se pavarësia e sovraniteti i Kosovës janë të pacenueshme e të pakthyeshme.

Njëkohësisht ai u bën thirrje drejtuesve të vendit e autoriteteve që të ndërtojnë institucione demokratike e gjithëëpërfshirëse që ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës për festimet e katërmbëdhjetëvjetorit tuaj si shtet sovran dhe i pavarur.

Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në vlerat tona të përbashkëta demokratike. Si një nga demokracitë më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin që keni bërë gjatë këtyre 14 viteve. Nga ana jonë, ne jemi krenarë t’ju mbështesim në këtë përpjekje.

Përderisa pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacenueshme, ndërtimi i institucioneve elastike demokratike dhe gjithëpërfshirëse që ofrojnë për të gjithë qytetarët kërkon këmbëngulje. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës teksa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

Ne presim që Kosova me të drejtë të zërë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ritheksojmë mbështetjen tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyrë për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke.

Ne mbetemi mirënjohës për lidershipin e Kosovës përtej kufijve të saj, për bujarinë tuaj në pritjen e afganëve të cenueshëm dhe kontributet tuaja për sigurinë dhe stabilitetin global.

I uroj paqe, prosperitet dhe shëndet të mirë për popullin e Kosovës ndërsa vazhdoni rrugëtimin tuaj demokratik dhe ne e forcojmë më tej miqësinë tonë të palëkundur, së bashku.” – thuhet në mesazhin e Sekretarit Blinken, të shpërndarë nga DASH.