Vendosni fjalën kyçe....

E zhdukur që prej vitit 2019, vogëlushja amerikane gjendet e gjallë në dhomën sekrete


Një vajzë e vogël që ishte zhdukur që në vitin 2019 është gjetur e gjallë në një dhomë sekrete nën një shkallë, thotë policia në shtetin amerikan të Nju Jorkut.

Gjashtëvjeçarja Paislee Shultis, u gjet në një shtëpi në qytetin Saugerties pas një kontrolli të hënën.

Policia thotë se ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe tani është ribashkuar me kujdestarin e saj ligjor dhe motrën më të madhe.

Siç shkruan BBC, prindërit e vogëlushes të cilët nuk janë kujdestarë ligjorë të saj janë akuzuar për ndërhyrje në kujdestari dhe rrezikim të mirëqenies së fëmijës.

Paislee u raportua e zhdukur në korrik të citit 2019, kur ishte katër vjeçe.

Autoritetet në atë kohë besonin se ajo ishte rrëmbyer nga prindërit e saj, Kimberly Cooper, 33 vjeç dhe Kirk Shultis Jr., 32 vjeç.

Pas marrjes së një informacioni se Paislee po mbahej në një vend të fshehur në qytetin Saugerties, policia mori urdhër për të kontrolluar shtëpinë. Prona ishte kontrolluar edhe më parë por vogëlushja nuk ishte gjetur atje.

Gjyshi i vajzës, Kirk Shultis Sr., 57 vjeç, i cili zotëron shtëpinë, ishte aty kur policia kreu kontrollin. Por ai tha se nuk kishte njohuri për vendndodhjen e Paislee.

Por pak më shumë se një orë pas kërkimit, një nga detektivët vuri re se shkallët që të çonin në bodrumin e shtëpisë ishin të ndërtuara në mënyrë të çuditshme. Pasi hoqi disa dërrasa, policia gjeti Paislee dhe zonjën Cooper të fshehur në atë që policia e përshkroi si një dhomë “të vogël, të ftohtë dhe të lagësht”.

Paislee u ekzaminua nga mjekët dhe raportohet se ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Prindërit biologjikë të Paislee kishin humbur kujdestarinë e saj dhe motrës më të madhe përpara zhdukjes së saj, dhe policia beson se ky ishte motivi pas rrëmbimit të Paislee.

“Ne besojmë se… dikush i informoi prindërit se fëmija më i madh ishte marrë nga kujdestari ligjor dhe nga zyrtarët e qarkut në atë kohë dhe kjo bëri që prindërit më pas të merrnin Paislee dhe të iknin.“- tha shefi i policisë së Saugerties, Joseph Sinagra.

Nëna, babai dhe gjyshi u arrestuan të gjithë dhe u akuzuan për zhdukjen e Paislee. Dy të fundit janë liruar dhe janë në pritje të gjykimit.