Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet Edmond Përdoda, 39-vjeçari i akuzuar për vrasjen e rapsodit të njohur dhe shokut të tij në 2020-ën


Policia e Lezhës ka vënë në pranga sot Edmond Përdodën, një shtetas i shumëkërkuar, që sipas bluve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ai u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Lalm i Ri”, zhvilluar nga strukturat e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA.

Policia ka publikuar edhe pamjet e operacionit dhe arrestimit të tij. 39-vjeçari, u arrestua në banesën ku jetonte.

Edmond Përdoda akuzohet se bashkë me të vëllain, Aleksandër Përdodën, që tashmë ndodhet pas hekurave, vranë me armë zjarri rapsodin e njohur Kol Murrani dhe shokun e tij, Preng Simoni.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 27 prill të 2020-ës në fshatin Lalm i Ri të Lezhës.

NJOFTIMI I POLICISË

Kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.

Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ka mirorganizuar punën për kapjen e tij.

Në këtë kuadër është finalizuar me sukses operacioni policor “Lalm i Ri”, si rezultat i të cilit është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit E. P., 39 vjeç, banues në Lalm, Lezhë, i dënuar më parë në shtetin grek, për veprën penale “Vrasja”, dhe në Shqipëri, për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”, sepse dyshohet që në bashkëpunim me vëllanë e tij, shtetasin A. P. (i arrestuar me parë), kanë vrarë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe P. S.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.