Vendosni fjalën kyçe....

Fshehu krimet e ushtarit që vrau 26 persona në Teksas, ushtria amerikane do paguajë 230 milionë dollarë për vamiljet e viktimave


Një gjykatës ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të dorëzojë më shumë se 230 milionë dollarë për të mbijetuarit dhe anëtarët e familjeve të atyre që u vranë në një sulm masiv të vitit 2017 në Teksas, në të cilin një ish-anëtar i Forcave Ajrore mori jetën e 26 personave. Incidenti u bë vrasja masive më vdekjeprurëse në historinë e shtetit.

Në një vendim në fillim të javës, gjykatësi i qarkut të SHBA-së, Xavier Rodriguez, tha se qeveria duhet të paguajë shumën për dështimin e saj për të raportuar akuzat e mëparshme të dhunës në familje për ish-ushtarakun Devin Patrick Kelley, duke shtuar se kjo e lejoi atë të vazhdonte të blinte armë zjarri dhe të kryente krimin masiv me të shtëna në Kishën e Parë Baptiste të Sutherland Springs në nëntor 2017.

“Humbjet dhe dhimbja që kanë përjetuar këto familje janë të pamatshme,” tha Rodriguez në vendim, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet të ‘errësojë përgjegjësinë e saj’.

I njëjti gjykatës vendosi më parë në korrik se Forcat Ajrore ishin 60% përgjegjëse për të shtënat dhe Kelley vetëm 40%, duke argumentuar se dega e shërbimit nuk e futi akuzën ndaj personit në bazën e të dhënave, e cila përdoret për kontrolle të historisë për blerësit e armëve të zjarrit dhe që mund ta kishte penguar të blinte armë.

Të dhënat ushtarake tregojnë se Kelley u dënua nga gjykata ushtarake për dhunë në familje, duke përfshirë goditjen dhe mbytjen e gruas së tij, si dhe abuzimin me djalin, për të cilën ai u deklarua fajtor në 2012. Ai u pranua më vonë në një institucion të shëndetit mendor në New Mexico dhe u arratis për pak kohë përpara se të dënohej, duke u shkarkuar përfundimisht nga ushtria në 2014.

Kelley vrau 26 persona dhe plagosi 22 të tjerë në të shtënat, të cilat shpërthyen gjatë një shërbimi kishtar të dielën në një qytet jashtë San Antonio, Teksas. Pas një ndjekjeje nga policia, ai më vonë vrau veten.