Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Nuk mund të fshihemi më pas vetos bullgare


 

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian u mblodh këtë të martë për të diskutuar arritjet dhe rreth progres-raportit të BE për Shqipërinë.

Kryetarja e këtij këshilli, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj theksoi se Progres – Raporti i Komisionit Europian, nxori në pah se qeveria shqiptare nuk ka përmbushur kushtet për të hyrë në Bashkimin Europian. 

Sipas Tabakut, ka një mungesë të vullnetit politik për t’u angazhuar në procesin e integrimit europian.

 “Stafi i Kuvendit, i sekretariatit ka bërë analizë të plotë dhe ka vënë re një mungesë të një vullneti politik për t’u angazhuar në këtë proces.

E kuptoj që ky proces është peng i datave, tryezave, por ashtu siç e thashë në mbledhjen e para 3 muajve duhet të bëjmë çdo gjë për të shkuar në atë datë. Me keqardhje vërej që kjo nuk ka ndodhur ose ndoshta ka pas një mungesë komunikimi për këtë.“- u shpreh ajo. 

Tabaku shprehet se Shqipëria është larg standardeve të BE-së. Në fjalën e saj Kryetarja e Këshillit evidentoi se një nga kriteret kyçe të BE lidhet me luftën ndaj korrupsionit është neglizhuar nga qeveria. “Në raportin e Transparency International evidentohet gjendja reale e korrupsioit në Shqipëri dhe për rrjedhojë edhe vullneti i mangët për ta luftuar atë.”- shtoi Tabaku.

Teksa fliste në mbledhje për punën e bërë për integrimin e Shqipërisë në BE, Tabaku u shpreh se qeveria nuk duhet të fshihet më pas vetos së Bullgarisë.

“Të gjitha rekomandimet e OSBE/OHDIR nuk kanë filluar të zbatohen. Unë dhe zoti Balla do të vlerësonim që ky këshill të ishte e përfshirë, se çfarë masash janë marrë, çfarë pune do të bëjnë. Ne duam që të jemi promotor në procesin e Integrimit. Mund të punohet për kapitullin e Reformës në Drejtësi, por është e kotë kjo reformë, ku në luftën ndaj korrupsionit nuk kemi sukses. Unë ju inkurajoj ju që të ulemi dhe të gjejmë një mënyrë që metodologjinë e re ta kthejmë në avantazh. Do të kisha dëshirë të fokusohemi në pushtetin lokal. Nga informacionet që kemi, në shumë prej bashkive nuk janë ngritur shtabet e integrimit. Kështu ndodh edhe në strukturat në ministri. Jam përpjekur gjatë gjithë kohës t’i ngre këto dyshime. Të gjithë kanë emëruesin e përbashkët: Vullnet politik. Ne nuk mund të fshihemi pas vetos së Bullgarisë, duhet të bëjmë punën tonë këtu, të ecim përpara dhe pavarësisht një date që ndoshta nuk është në dorën tonë.”– deklaroi Tabaku.