Vendosni fjalën kyçe....

Debate mes Tabakut dhe Felajt te Komisioni Hetimor i Inceneratorëve: Të vjedhësh me procedurë nuk është justifikim


Është shoqëruar me debate mbledhja e sotme në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku pati përplasje me deputeten socialiste Ermonela Felaj.

Kjo e fundit bëri një parashtrim të gjithë ligjeve dhe veprimeve të ndërmarra nga institucionet lokale dhe qëndrore në lidhje me inceneratorin e Fierit, por Tabaku tha se parafolësja e saj justifikoi aferën korruptive për shkak të djegies së plehrave dhe ndotjes së mjedisit.

Felaj iu kthye Tabakut duke i thënë se duhet të paraqiten fakte dhe jo komente personale gjatë këtij procesi.

DEBATI:

Jorida Tabaku: Përgjigjja e zonjës Felaj ishte se ka pasur një aferë korruptive, por ishte keq situata e mbetjeve.

Ermonela Felaj: Unë bëra një shqyrtim të procedurës, nuk bëra komente. Komentet në këtë fazë të procesit nuk janë të bazuara askund.

Jorida Tabaku: Më lini që të mbaroj fjalën dhe ta mbyll këtë mbledhje.

Ermonela Felaj: Do ua ndërpresë fjalën, pasi nëse nuk respektoni rregulloren nuk na respektoni ne që jemi këtu.

Jorida Tabaku: Nuk mund të flas kompania përmes një shkrese të sjellë nga tre kriminelë në parlament. Unë këtu e kisha që, ju si juriste lexoni me qetësi një shkresë të sjell nga tre persona të shpallur në kërkim.

Ne duhet të kuptojmë kush janë pronarët përfitues. Deri tani kemi kuptuar se pronar përfitues nga inceneratori i Elbasanit është Lefter Koka, i cili ka përfituar 4.1 milionë euro. Pronar përfitues është Alqi Bllako, babai i të cilit merr një rrogë nga afera e inceneratorëve dhe sot që ne flasim. Por a janë pronar përfitues Arben Ahmetaj dhe dëshmitarët e tjerë të thirrur në kë komision?

Nuk e pranoj justifikimin që ne kemi vjedhur, por kemi vjedhur se digjeshin plehrat. Të vjedhësh me procedurë nuk është justifikim.

Ermonela Felaj: Komentet mbi qëndrimet tona personale mos të bëhen, pasi asnjë nga ne këtu nuk është në akuzë. Ata që janë nën akuzë do mbajnë përgjegjësi në institucionet përgjegjëse.

Ne të kësaj ane nuk kemi ndërmend të merremi me individë privatë, do të merremi me sjelljen e institucioneve. Kjo është detyra jonë.