Vendosni fjalën kyçe....

Banka ‘Credit Suisse’ përballet me akuza në gjyqin për trafik kokaine


Një gjykatë penale zvicerane hapi të hënën procedurat gjyqësore kundër bankës së fuqishme ‘Credit Suisse’, duke akuzuar atë se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar pastrimin e parave të lidhura me trafikun e drogës nga një organizatë kriminale bullgare.

Associated Press raporton se banda punësoi një mundës, i cili kohë më parë miliona para me makinë në Zvicër.

Emrat e të pandehurve nuk janë bërë publikë, për të mbrojtur privatësinë e tyre, por prokurorët zviceranë identifikuan me emër ‘Credit Suisse’ në një aktakuzë të shpallur në dhjetor 2020.

Akuza, e cila përqendrohet te një ish-menaxher në bankën zvicerane dhe dy anëtarë të rrjetit kriminal, pason një hetim të gjatë mbi akuzat për keqbërje, që me sa duket kanë ndodhur midis vitit 2004 e 2008.

Sipas AP, çështja kundër bankës ka të bëjë me akuzat se ajo ‘nuk ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të ndaluar pastrimin e parave’ nga një prej punonjësve të saj.

‘Credit Suisse’ ka mohuar çdo keqbërje, duke thënë gjatë seancës dëgjimore të hënën se ‘i hedh poshtë pa rezerva të gjitha akuzat në këtë çështje të trashëgimisë të ngritur kundër saj dhe është e bindur se ish-punonjësi i saj është i pafajshëm’. Banka shtoi se ‘do mbrohet fuqishëm në gjykatë’.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm zviceran tha se, pas rënies së komunizmit, atletët e nivelit të lartë në Bullgari ‘u kthyen drejt burimeve të tjera të të ardhurave dhe shumë mundës patën bashkëpunim me klanet mafioze’.

Një mundës i paidentifikuar synonte të fitonte para duke trafikuar tonelata kokainë përmes ‘mushkave’ nga Amerika e Jugut në Evropë nga ajri dhe deti dhe më pas duke i pastruar fitimet.

Të ardhurat nga shitja e drogës hynë në llogaritë bankare zvicerane nga viti 2004 deri në vitin 2007 dhe u përdorën për të blerë pasuri të paluajtshme në Bullgari dhe Zvicër në veçanti, tregojnë procedurat gjyqësore.

Prokurorët thanë se ‘vepra kryesore e mundësit u krye në shkurt 2006, kur ai transportoi ekuivalentin e më shumë se katër milionë frangave zvicerane (mbi 4 milionë dollarë) në kartëmonedha të vogla të fshehura në makinën e tij nga Barcelona në Zvicër’.

Ata thanë gjithashtu se një ish-ekzekutiv i ‘Credit Suisse’ i ngarkuar për marrëdhëniet e biznesit me organizatën kriminale kreu transaksione për rrjetin, pavarësisht “të dhënave të forta se fondet ishin me origjinë kriminale’.

Ekzekutivi akuzohet se ka penguar identifikimin e origjinës së fondeve, të cilat në fund përfshinin transaksione prej më shumë se 140 milionë franga zvicerane (rreth 150 milionë dollarë).

‘Credit Suisse’ i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat dhe ka thënë se gjykata mund të urdhërojë ‘heqjen e fitimeve’ dhe një gjobë maksimale prej rreth 5 milionë dollarësh.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani