Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i PD-së në Shkodër, Xhemal Bushati: Aleanca ime e vetme me qytetarët, do t’u ofroj një bashki të hapur në çdo kohë, një shtëpi


Këtë të shtunë Partia Demokratike ka prezantuar edhe kandidatin për kryetar bashkie në Shkodër, Xhemal Bushatin.

Gjatë fjalës së tij, Bushati u shpreh se aleancën e vetme në këto zgjedhje e ka me qytetarët demokratë të Shkodrës.

Ai tha se do t’u ofrojë atyre një bashki të hapur në çdo kohë, një bashki pa dallime dhe pa ndasi.

“Jam me një përgjegjësi të re, vi sot si kandidatura bazë e anëtarëve të Partisë Demokratike për të marrë besimin e qytetarëve për bashkinë e Shkodrës. Shkodra dhe shkodranët në këtë rrugëtim janë mbi gjithçka. Aleanca jonë e vetme është me qytetaret e këtij vendi. Kjo është ajo ç’ka ne besojmë, tek qytetaria, vlera dhe mundësia për të punuar me çdo qytetar që e do Shkodrën për ta zhvilluar më tej. Për të ofruar një bashki të hapur në çdo kohë, një shtëpi për shkodranët, një bashki pa dallime, pa ndasi dhe të lidhemi më shumë drejt asaj që na bashkon që është një e ardhme më e mirë për fëmijët dhe qytetin tonë.” – tha Bushati, i cili u shpreh i bindur në fitoren e tij më 6 Mars. 

Prezantimi i Bushatit u bë nga drejtuesi politik i PD-së për Shkdorën, Enkelejd Alibeaj, i cili shprehu vlerësimet e tij për Bushatin.

“Rruga është e vështirë me ulje dhe ngritje. Shpesh kemi gabuar, por asnjëherë nuk jemi larguar nga vlerat e Partisë Demokratike. Prezantimi është e asaj çfarë na pret në 6 Mars. Është sfidë dhe sakrificë. Sfida është morale. Kemi pasur ne si Parti Denokratike kohë akoma dhe më të vështira se këto, por ia kemi dalë, siç do ia dalim edhe kësaj radhe. Partia Demokratike e ka stofin politik për t’i dal ballë këtyre sfidave, sidoms këtu në Shkodër. Dje isha në Lushnje, por pyetja në fund ishte: Shkodra ç’thotë? Kjo pra është ajo vlerë, ajo histori që Shkodra ka për Partinë Demokratike. Në këto 30 ditë, më e rëndësishmja është që të trokasim në derën e çdo shkodrani me ndershmërinë më të madhe. Pastaj garancia jetër është Xhemal Bushati, njeriu i mirë, njeriu i ndershëm dhe i respektuar. Nuk do të na fal asnjëherë historia që kjo kala e demokratëve, të bie në dorë të të majtëve. Shkodra është e demokratëve dhe do t’u mbetet demokratëve” – tha Alibeaj.

Xhemal Bushati kujtojmë se ka mbajtur më parë postin e ish-kryetarit të këshillit bashkiak Shkodër.

Ai u miratua si kandidat për bashkinë Shkodër nga kryesia e PD-së, pas propozimit të tij nga strukturat e kësaj dege.

Bushati garon përballë kandidates së PS-së, Majlinda Angoni, aktualisht prefekte e Shkodrës dhe kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia.