Vendosni fjalën kyçe....

Ishte dënuar me 14 vite burg, kapet 34-vjeçari në Lezhë


Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 14 vite burg është ndaluar nga policia e Lezhës.

Fatjon Marku është prangosur në kuadër të operacionit ‘Baofeng’ pasi është dënuar më 28 dhjetor 2021 me 14 vite burg për prodhim e shitje lëndësh narkotike.

Po kështu është proceduar edhe një person i cili drejtonte mjetin ku Marku ishte bashkëudhëtar.

Njoftimi

“Procedohet penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”, drejtuesi i mjetit në të cilin udhëtonte si pasagjer shtetasi në kërkim.

Sekuestrohen një armë të ftohtë (thikë) dhe 1 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, së në një automjet që lëvizte në drejtim të Lezhës, qarkullonte një shtetas në kërkim, kanë organizuar menjëherë punën dhe në dalje të Lezhës, kanë lokalizuar mjetin e dyshuar, duke finalizuar me sukses operacionin “BAOFENG”, në kuadër të të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:

-Fatjon Marku, 33 vjeç, banues në Lezhë.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, duke qarkulluar si pasagjer në mjetin me drejtues shtetasin F. K., i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por pas disa minutash ndjekjeje, në bashkëpunim me shërbimet e qarkullimit rrugor, është bërë i mundur ndalimi i mjetit.

Shtetasi Fatjon Marku ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2018, I ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg “, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjithashtu, me vendimin e datës 28.12.2021, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e ka dënuar me 14 vite burg, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë të ftohtë (thikë) dhe 1 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë.

Në përfundim të veprimeve u procedua penalisht edhe drejtuesi i mjetit, shtetasi F. K., për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi, shitja, mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” në ngarkim të shtetasit Fatjon Marku dhe për veprën penale “Moskallëzim krimi” në ngarkim të shtetasit F. K.”