Vendosni fjalën kyçe....

Nano te Komisioni i Ligjeve: Policia është përgjigjur proporcionalisht te ‘5 Maji’, njëri nga banorët kërcënoi Veliajn


Drejtori i Përgjithshëm i policisë Nano ka thënë në Komisionin e Ligjeve se policia ka reaguar në masën e reagimit nga ana banorëve në zonën e ‘5 Majit’.

Sipas tij policia ka shoqëruar pesë persona të cilët kanë penguar IMT-në në prishjen e banesave. Po kështu sipas Nanos një nga të shoqëruarit ka kërcënuar kryebashkiakun e Tiranës Veliaj.

Drejtori i policisë pohoi gjithashtu se ka nisur një procedim penal lidhur me dhunën ndaj një kameramani të një televizioni i cili ka pretenduar se është dhunuar nga policia.

“Nga Inspektoriati i Bashkisë Tiranë është kërkuar mbështetje nga policia me qëllim shmangien e incidenteve gjatë prishjes së banesave të prekura nga projekti te “5 maji”. Gjatë prishjes së banesave ka pasur veprime nga disa banorë, të cilët nuk lejuan mjetet e IMT-së, si dhe tentuan t’i vendosnin flakën një mjeti, duke rrezikuar jetën e banorëve të tjerë. Në këto kushte janë shoqëruar 5 persona, të cilët kundërshtuan me dhunë forcat e policisë. Gjatë shoqërimit është përdorur forcë proporcionale ndaj reagimit të kundërshtimit të tyre. Këta shtetas janë shoqëruar në komisariat dhe më pas janë lënë të lirë pas veprimeve procedurale. Këta shtetas kanë kundërshtuar policisë e shtetit për hapjen e rrugës dhe se në një intervistë për media shtetasi Elson Marku ka kërcënuar kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj. Në komisariatin e policisë ka ardhur një denoncim nga një operator, i cili pretendon se është dhunuar nga forcat e policisë. Materialet u referuan në prokurorinë e Tiranës dhe për këtë rast u nis një procedim penal.” – tha ndër të tjera Nano.