Vendosni fjalën kyçe....

“Vetëm një herë në vit” Shefi i Pfizer-it tregon të ardhmen “ideale” të vaksinimit kundër Covid-19


Drejtori i Përgjithshëm i Pfizer-it Albert Bourla është përpjekur të qetësojë skeptikët e vaksinave me një ide të vaksinave përforcuese të Covid-19 vetëm një herë në vit, në vend të çdo disa muajsh. Ai shpreson se ideja e vaksinimeve vjetore do të jetë shumë më e lehtë për t’iu shitur publikut.

Në një seri intervistash me kanalet televizive izraelite, Bourla tha se “nuk do të ishte një skenar i mirë” nëse njerëzit do të merrnin doza përforcuese çdo katër deri në pesë muaj. “Ajo që unë shpresoj është që ne do të kemi një vaksinë që do të duhet ta bëni një herë në vit.”- tha ai për Channel 12 të shtunën.

Bourla argumentoi se është më e lehtë për ta shitur idenë dhe “më e lehtë për njerëzit që ta kujtojnë” nëse një vaksinë kërkohet vetëm një herë në vit, duke e quajtur këtë “një situatë ideale” nga “një këndvështrim i shëndetit publik”.

“Një herë në vit është më e lehtë të bindësh njerëzit ta bëjnë”- thotë ai, citon RT.

“Ne po kërkojmë të shohim nëse mund të krijojmë një vaksinë që mbulon variantin Omicron dhe nuk harron variantet e tjera dhe kjo mund të jetë një zgjidhje.”– shtoi Bourla, duke treguar se një vaksinë e tillë mund të prodhohet në masë nga Marsi.

Në një intervistë tjetër me Channel 13, Bourla pranoi se kishte një “pakicë të konsiderueshme” njerëzish që hezitonin të merrnin vaksinën. Brenda këtij grupi, ai veçoi “një pakicë të vogël njerëzish që përfitojnë nga qarkullimi i dezinformatave”, të cilët i quajti kriminelë.

“Miliona njerëz kanë vdekur për shkak të tyre, këtij numri të vogël kriminelësh”– tha ai.

Mes përhapjes globale të variantit Omicron, shumë vende po rekomandojnë gjithnjë e më shumë një dozë të katërt të vaksinës Covid-19 për të “forcuar” sistemin imunitar.

Tashmë një nga vendet më të vaksinuara në botë, Izraeli ishte ndër të parët që miratoi dozën e katërt, e cila sipas studimeve të hershme u zbulua se ishte kryesisht joefektive në parandalimin e infeksioneve të reja. Pas futjes së dozave të katërta, Izraeli regjistroi numrin më të madh ditor të rasteve të reja me Covid-19 këtë javë.

Si Organizata Botërore e Shëndetësisë ashtu edhe rregullatori i BE-së për barnat, Agjencia Evropiane e Barnave, kanë paralajmëruar më parë kundër përdorimit të tepërt të dozave përforcuese, megjithëse për arsye të ndryshme. OBSH ka bërë thirrje për një shpërndarje më të barabartë të dozave të vaksinave në të gjithë botën, pasi ende shumë njerëz në vendet më të varfra po marrin vetëm dozën e parë.

EMA, ndërkohë, vuri në dukje efektet e mundshme negative të përforcuesve, duke paralajmëruar se vaksinimet e përsëritura në një periudhë të shkurtër kohore mund të rezultojnë përfundimisht në “probleme me përgjigjen imune”.