Vendosni fjalën kyçe....

Bllokohet në aeroport 12-vjeçari në Itali, s’ishte vaksinuar pasi kishte mbushur moshën një ditë më parë


Një 12-vjeçar është ndaluar në Itali që të udhëtojë drejt shtëpisë së tij në Milano pasi kishte mbushur 12-vjeç një ditë para udhëtimit dhe nuk ishte i vaksinuar kundër Covid. Denoncimi është bërë nga babai i të miturit, i cili jeton në Noto, Siçili.

“Unë jam viktimë e një injorance që është e shfrenuar dhe e mungesës së elasticitetit nga ana e disave.” – ka thënë burri

Marcello është ndarë nga gruaja e tij, e cila jeton në Milano. Të dy kanë një djalë, i cili jeton me nënën e tij, por është në kujdestari të përbashkët. Gjyqtari ka përcaktuar periudhat e pushimeve që çifti respekton për hir të fëmijës.

“Nga 3 deri më 9 janar djali im ishte në Siçili me mua, Në datën 9 ai mbushi 12 vjeç dhe të nesërmen ishte planifikuar fluturimi i kthimit për në Milano. Kur mbërritëm në aeroport më 10 janar, tregova dokumentet dhe rezultatin negativ të tamponit, por punonjësi i aeroportit më tha që nuk mund të hipte.”­ – ka thënë babai i të miturit, shkruan ‘Il Giorno’.

“Një rregull që kishte hyrë në fuqi më 10 janar, autorizonte hipjen në aeroplan vetëm për 12-vjeçarët e vaksinuar. Theksova se tamponi ishte negativ, se fëmija duhej të kthehej në shkollë, por mbi të gjitha ka një vendim gjyqi që përcakton ditët në të cilat fëmija im mund të qëndrojë me mua dhe që unë nuk mund të bëj shkelje për të mos pasur penalitete.” – shton ai.

Pas kësaj, fëmija u vaksinua menjëherë megjithatë vërtetimi që do e lejonte të largohej drejt shtëpisë së tij në Milano do merret pas 15 ditësh.