Vendosni fjalën kyçe....

Kombi aziatik do zhvendosë kryeqytetin në xhungël


Parlamenti i Indonezisë ka miratuar legjislacionin që hap rrugën për zhvendosjen e kryeqytetit të vendit nga Xhakarta në një copë toke të pyllëzuar në një nga ishujt e saj më të mëdhenj – Borneo.

Indonezia është në rrugën e krijimit të një kryeqyteti të ri. I quajtur ‘Nusantara’, qyteti i ri do të ndërtohet nga e para në provincën Kalimantan Lindore në ishullin Borneo që Indonezia e ndan me Malajzinë dhe Brunein.

Të martën, ligjvënësit indonezianë votuan për të mbështetur një ligj që miraton zhvendosjen që do të bënte që kryeqyteti i vendit të lëvizte rreth 2,000 kilometra larg qytetit të Xhakartës në ishullin Java. Nisma u njoftua për herë të parë nga Presidenti Joko Widodo në prill 2019.

Problemet me të cilat përballet kryeqyteti aktual u përmendën si arsye e lëvizjes së papritur. Xhakarta, shtëpia e më shumë se 30 milionë njerëzve, është rrënuar prej kohësh nga probleme të ndryshme të infrastrukturës dhe mbingarkesa.

Frika nga përmbytjet e shpeshta dhe ndryshimet klimatike bëri që disa specialistë të klimës të paralajmërojnë se qyteti i madh mund të fundoset nën ujë deri në vitin 2050.

Tani, Indonezia me sa duket është e vendosur të ndërtojë një ‘utopi’ miqësore me mjedisin në një zonë të veshur me xhungël prej 56,180 hektarësh në Borneo. Një total prej 256,142 hektarësh janë rezervuar për projektin, me shumicën e tokës të destinuar për zgjerimin e mundshëm të qytetit në të ardhmen.

“Ky kryeqytet nuk do të ketë vetëm zyra qeveritare, ne duam të ndërtojmë një metropol të ri të zgjuar që mund të jetë një magnet për talentet globale dhe një qendër inovacioni.” – tha Widodo në një fjalim në një universitet lokal të hënën. Presidenti tha gjithashtu se banorët e kryeqytetit të ri do të jenë në gjendje ‘të lëvizin me biçikletë dhe të ecin kudo sepse ka zero ndotje’.

Projekti, megjithatë, ka tërhequr tashmë kritika nga aktivistët mjedisorë, të cilët argumentojnë se urbanizimi i mëtejshëm i Borneos do të rrezikonte ekosistemet lokale të pyjeve të shiut të prekur tashmë nga minierat dhe plantacionet e vajit të palmës.

Kostot e projektit nuk janë zbuluar zyrtarisht, por disa raporte të mëparshme mediatike sugjeruan se ato mund të arrijnë në 33 miliardë dollarë.