Vendosni fjalën kyçe....

Zgjidhet misteri kush e tradhëtoi Anne Frank-un


Një nga misteret e mbetura nga Lufta e Dytë Botërore mund të jetë zgjidhur pasi një ekip ndërkombëtar hetuesish zbuloi emrin e personit që ‘me shumë gjasa’ tradhtoi ditaristen e re hebreje Anne Frank.

Grupi i kërkimit, i cili përfshinte historianë, kriminologë, psikologë, një ekspert të shkrimit të dorës dhe madje edhe një agjent special të FBI-së në pension, kreu një analizë skrupuloze gjashtëvjeçare të ngjarjeve që çuan në zbulimin e aneksit të fshehur mbi një magazinë buzë kanalit të Amsterdamit, ku familja e Anne-s u fsheh për dy vjet deri më 4 gusht 1944.

Studiuesit arritën në përfundimin se skenari ‘më i mundshëm’ është se familja Frank u tradhtua nga noteri hebre Arnold van den Bergh. Hetuesi kryesor Pieter van Twisk është i bindur se babai i Anne-s, Otto, i cili i mbijetoi Holokaustit dhe më vonë botoi ditarët e vajzës së tij, e dinte se njeriu në fjalë ishte përgjegjës, por zgjodhi të mos e zbulonte të vërtetën.

Sipas gazetës holandeze NRC, e cila intervistoi van Twisk, hulumtimi është i pari i këtij lloji dhe u konceptua si një hetim i duhur policor modern. Ai u financua pjesërisht nga crowdfunding dhe nga grante nga qyteti i Amsterdamit, investitorë privatë dhe botues.

Ekipi fillimisht kishte rreth 30 versione të mënyrës sesi ngjarjet mund të ishin shpalosur, por lista masive e emrave dhe linjave të hetimit u shkurtua ngadalë.

“Frank ishte shumë i shqetësuar me antisemitizmin që u rishfaq pas luftës. Ai ndoshta kishte frikë se kjo do të përdorej për të thënë: shikoni, ata hebrenj i bënë të gjitha vetë.” – shpjegoi van Twisk.

Arnold van den Bergh ishte një anëtar themelues i Këshillit Hebre, i cili ndihmoi në organizimin e dëbimit të hebrenjve dhe mori pjesë në mbledhjet e departamentit të emigracionit, i cili përpilonte listat për dëbim.

Megjithatë, sipas studiuesve, ai ishte i motivuar të hiqte dorë nga familja Frank për të shpëtuar të tijën. Heqja dorë nga një informacion i tillë ishte një mënyrë për të mbrojtur veten dhe familjen e tij, thanë ata.

Një letër anonime e marrë nga Otto Frank pas çlirimit, duke treguar për van den Bergh, u analizua dhe u vërtetua duke përdorur metoda moderne. Studiuesit thanë se van der Bergh kishte njohurinë, motivin dhe mundësinë për të treguar vendin ku fshihej familja Frank. Ai dhe familja e tij mbijetuan e vdiq nga kanceri i fytit në vitin 1950.

Hetuesit pranojnë se provat e mbledhura ndoshta nuk do të mjaftonin për të bindur një gjykatë, por ata thanë se ishte skenari më bindës që gjetën.

“Është një rast rrethanor, siç janë shumë raste. Në zgjidhjen e krimit të sotëm, ata duan prova pozitive të ADN-së ose kasetë vëzhgimi me video. Ne nuk mund t’ju japim asnjë nga këto. Por në një rast historik kaq të vjetër, me të gjitha provat që kemi marrë, mendoj se është goxha bindës.” – tha për CBS ish-agjenti i FBI-së, Vince Pankoke.

Hollësitë e hetimit janë përshkruar në një libër të ri të quajtur ‘Tradhtia e Anne Frank’, nga Rosemary Sullivan, si dhe në një dokumentar të CBS.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani