Vendosni fjalën kyçe....

Flamur Noka: PD përfaqësohet vetëm nga Komisioni i Rithemelimit, nuk e njohim shoqatën e bravave


Deputetët mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berishës u larguan nga salla e seancës plenare ku pati mjaft debate lidhur me përjashtimin e tyre nga grupi parlamentar, pasi kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi një pushim të shkurtër.

Deputeti Flamur Noka doli në një prononcim për mediat, ku theksoi se Komisioni i Rithemelimit është i vetmi që përfaqëson PD-në në çdo institucion.

“PD është e gatshme në çdo moment për zgjedhje dhe për t’i fituar ato. Çdo institucion po informohet që PD-në me mandate të Kuvendit e përfaqëson vetëm Komisioni i Rithemelimit. Shoqatën e bravave dhe të shulit nuk e njohim.

Ne po flasim për një demokraci, jo për diktaturë. Pengu mund të japë vulën me qera, dhe pengmarrësi mund të vulosë në emër të tij. Demokratët njohin vetëm institucionet e votuara me votë të lirë”– tha Noka.

Ai kujtoi shkresën që Komisioni i Rithemelimit i ka dërguar Kuvendit: “Ne ju bëjmë me dije shqiptarëve se ata sot kanë opozitë dhe kanë deputetët e tyre që do të përballen me regjimin. Ne i kemi dorëzuar një shkresë Kuvendit më datë 23 dhjetor. Institucioni legjitim i dalë nga Kuvendi i PD-së më 11 dhjetor i dërgon një letër kryetares së Kuvendit për gjithçka ndodhi dhe vendimet që u morën në atë Kuvend. Kush do që ta emërojë pengun në krye të opozitës e ka gabim.”