Vendosni fjalën kyçe....

Një javë pas përplasjes në selinë blu, Basha e Berisha shkojnë në bazë


Rreth një javë pas protestës në selinë blu e akuzave e kundër akuzave për dhunën që shoqëroi ngjarjen, ish-kryeministri Berisha e kreu i PD-së Basha kanë shkuar në bazë.

Pas përplasjes mes dyerve të blinduara të selisë blu e përpjekjes së mbështetësve të Berishës për t’u futur brenda me çdo kusht, dyshja kanë zbritur në ‘mejdanin’ e militanëve e simpatizantëve.

Ndërsa për Berishën bëhet fjalë për një rikthim, pas një turi mbarëkombëtar që zgjati disa javë, për Bashën ky është takimi i dytë pas atij të Dibrës pak kohë më parë.

Nga Shkodra, Berisha përsëriti akuzat ndaj Bashës, ndërsa u premtoi mbështetësve se lëvizja do vijojë e nuk do ndalet. Ai po kështu lëshoi akuza ndaj kryeministrit Rama e qeverisë së tij duke u zotuar se revolucioni i PD-së nuk do ndalet deri në largimin e tij.

Basha nga ana e tij zhvilloi një takim në Fier. Ai zgjodhi të njëjtën koreografi si më 8 dhjetor në Festën e PD-së, duke u ulur në mes të sallës, i rrethuat nga njerëzit, duke shmangur qëndrimin përballë tyre nga një podium.  

Basha nuk harroi të përsëriste termin ‘Trekëndëshi i Bermudës’ si dhe ftoi demokratët e shqiptarët që t’i besojnë e ta mbështetin PD-në e drejtuar prej tij zyrtarisht. Ai përmendi masakrën zgjedhore të 25 prillit ndërsa foli shkarazi për përplasjen që ndodhi në PD e duke i lëshuar akuzat ndaj treshes Rama-Berisha-Meta.

Pas 8 janarit, Berisha ka deklaruar se do ketë një tjetër protestë para selisë blu, por pa dhënë shumë hollësi ndërsa kjo e fundit është rikthyer në gjendjen fillestare të blindimit pas riparimit të dyerve të hekurta. Ndërkohë Basha ka pohuar se do nisë një tur në bazë, ku do të kërkojë të konfirmojë mbështetjen që ka deklaruar se e ka.