Vendosni fjalën kyçe....

Vasili thirrje SPAK-ut: Hetoni fshehjen e vdekjeve nga Covidi, në mos në emër të ligjit, të paktën për moralin


 

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i bën thirrje Prokuroria e Posaçme që të nisë hetimet në lidhje me fshehjen e viktimave nga Covidi në vend.

Ky reagim i Vasilit vjen pas analizës së gazetës britanike “The Economist”, sipas së cilës numri i personave që kanë humbur jetën nga Covid-19 është shumë herë më i lartë nga sa raportohet dhe varion nga 12 dhe 15 mijë persona.

Vasili shprehet se kjo analizë provon akuzat e ngritura vazhdimisht nga LSI ndaj qeverisë për fshehje të numrit të vdekjeve nga Covidi.

Çfarë shkruan Vasili:

SPAK heto për vdekjet nga Covid, në mos në emër të ligjit të paktën në emër të moralit?

Publikimet ndërkombëtare shumë autoritare që nga FMN kohë ma parë e deri tek The Economist sot, kanë argumentuar se shifrat reale të vdekjeve nga Covid-19 janë shumë herë më të larta se ato të raportuara nga qeveria, pra realisht kanë provuar fshehjen e vdekjeve nga Covid nga qeveria rilindase.

Kemi argumentuar prej kohësh se vdekjet nga Covid fshiheshin nga qeveria në funksion të propagandës së saj.

Vdekjet reale janë të paktën 5 herë më shumë nga ato raportuara nga qeveria.

Kemi treguar me fakte se edhe shifrat e vdekjeve nga Covid të raportuara nga vetë Bashkitë rilindase ishin më të larta se ato, që qeveria bënte publike.

Pra është shumë e qartë, që pushteti është shpërdoruar kriminalisht dhe ka fshehur vdekjet për të ushqyer propagandën mashtruese të tij e për të nxjerrë se gjoja qeveria po administronte si duhej situatën.

Asnjë nuk ka harruar histeritë e kryeministrit dhe ministrave të tij kur në kor gënjenin paturpësisht dhe bënin alibinë e fshehjes së këtij skandali.

Të njëjtën gjë kanë bërë edhe disa profesionistë moralprishur të mjeksisë, që për arrivizëm personal apo për servilizëm dhe akaparim të qeverisë u lëshuan publikisht në krah të saj për të mbuluar këtë krim shtetëror duke shkelur mbi shkencën etikën dhe moralin e mjekut.

Sot është koha e të vërtetës, që nuk mund të mbulohet më.

Shprehja alibike e famshme e qeverisë: “kështu ndodh në të gjithë botën” nuk e shfajson dot atë sepse në mes janë vdekjet e fshehura dhe përdorimi kriminal të fatkeqësisë njerëzore.

Asnjë hetim i hapur për këtë çështje kaq të rëndë.

SPAK tundu, lëviz shpërdorimi i detyrës ulërin.

Kaq të mbërthyer për fyti nga qeveria jeni që nuk flisni e nuk hapni dot as edhe një dosje të vetme për një vepër kaq të rëndë

Ç’dreqin duhet kjo farë Drejtësie e Re, që s’vepron as për fshehjen e vdekjeve.

Duhet t’u nxihet faqja atyre, që flasin për këtë Drejtësi të Re, që bëhet ortake de Facto me fshehjen e vdekjeve të qeverisë.

SPAK në se nuk lëvizni dot në emër të ligjit lëvizni të paktë në emër të detyrimit moral dhe njerëzor të kujtimit të atyre, që humbën jetën nga Covid dhe vdekja e tyre u fsheh dhe u përdor ligësisht nga qeveria.