Vendosni fjalën kyçe....

U vranë në aksionin për arrestimin e Dritan Dajtit në 2009-ën, Veliaj u vë emrin e policëve të ndjerë katër rrugëve në Tiranë


Pak ditë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi emërtimin e 4 rrugëve të reja në kryeqytet me emrat e dëshmorëve Fatos Xhani, Kastriot Feska, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, të cilët humbën jetën në vitin 2009 në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj i priti familjarët e katër policëve të ndjerë në 109-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, duke iu dorëzuar në mënyrë simbolike edhe tabelat me emërtimin rrugëve të reja.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se Tirana dhe gjithë Shqipëria është një vend edhe më i sigurt falë kontributit të atyre që dhanë jetën për zbatimin e ligjit.

 “Një ditë mirënjohje për ata që shërbejnë sot me uniformën e policisë, për ata që kanë shërbyer dhe sidomos për ata që kanë rënë në krye të detyrës. Nëse shumë prej nesh japin energji dhe kohë, disa kanë dhënë jetën për këtë mision. Për katër dëshmorët e 7 gushtit të 2009-ës, ky qytet ka rezervuar një respekt të veçantë për t’i përjetësuar në emra rrugësh, në një kryqëzim në Njësinë Administrative numër 1.

Katër heronj që në mëngjes puthën bashkëshortet dhe fëmijët për të shkuar në punë dhe nuk u kthyen më, në një betejë me krimin dhe një betejë me një Shqipëri që gjithmonë e më shumë duam ta lëmë pas, për një Shqipëri që gdhihet gjithmonë e më e sigurt, falë kontributit të tyre, dhe falë atyre që dhanë jetën.” – u shpreh Veliaj.