Vendosni fjalën kyçe....

Biden i cilëson trazirat e 6 janarit të 2021-shit si “tentativë për grusht shteti”


Presidenti amerikan Joe Biden thotë se mbështetësit e Donald Trump donin të përmbysnin vullnetin e votuesve kur ata sulmuan ndërtesën e Kapitolit të SHBA në Uashington vitin e kaluar. Ai e quajti sulmin ndaj Kapitolit, një tentativë për grusht shteti.

 “Kjo është arsyeja pse ne jemi këtu sot: të qëndrojmë kundër forcave në Amerikë që e vlerësojnë pushtetin mbi parimin, forcave që tentuan një grusht shteti, një grusht shteti kundër vullnetit të shprehur ligjërisht të popullit amerikan duke mbjellë dyshime, duke shpikur akuza për mashtrim dhe duke kërkuar të vjedhin zgjedhjet e 2020 nga populli.”- tha Biden në një fjalim në Atlanta, të martën.

“Ata duan të mbretërojë kaos. Ne duam që njerëzit të sundojnë.”- shtoi ai, citon RT.

Javën e kaluar, presidenti iu referua ngjarjeve të 6 janarit 2021 si një “kryengritje të armatosur”, kur vendi shënoi përvjetorin e parë të trazirave. Aleatët e Bidenit dhe disa organizata mediatike kanë përdorur prej kohësh fjalën “grusht shteti” për të përshkruar kapjen e Kapitolit.

Deklaratat e Bidenit erdhën të martën pasi komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve që po heton trazirat thirri dy strategë me lidhje me Donald Trump Jr, si dhe një ish-zyrtar të Shtëpisë së Bardhë “i cili ndihmoi në hartimin e fjalimit të ish-presidentit të 6 janarit”.

Kujtojmë se më 6 janar 2021, një turmë mbështetësish të Trumpit depërtuan barrikadat e policisë dhe përmbysën për pak kohë kompleksin e Kapitolit duke kërkuar të pengonin Kongresin të konfirmonte fitoren e Bidenit në zgjedhjet presidenciale.