Vendosni fjalën kyçe....

Protesta në PD/ Rama: Ky është një shkatërrim, dëmton ngrehinën institucionale të vendit


Kryeministri Edi Rama ka nisur atë që e quajti “komunikim me demokratët”.

Ndërsa fliste për protestën e një dite më parë në selinë blu, Rama u shpreh se disa miq të huaj e kanë telefonuar dhe e kanë pyetur nëse ngjarja ishte e vërtetë.

Ai e quajti këtë një ndodhi shumë të rëndë për demokratët, por e rëndë dhe për të gjithë shqiptarët.

Rama u shpreh se kjo shkon përtej dobësimit të kundërshtarit politik,pasi sipas tij ky ishte një shkatërrim që dëmton ngrehinën institucionale të këtij vendi.

 “Përshëndetje të gjithëve! Sot është një komunikim shumë i veçantë i cili i adresohet miqve demokratë në këtë rrjet social dhe përmes mediave që mbase do ta ndjekin këtë komunikim, të gjithë demokratëve, njerëzve të këtij vendi, njerëz të arsyeshëm, prindër, familjarë, shqiptarë që për një mijë e një arsye i përkasin asaj pjese të kampit që identifikohen me PD-në, tash e 30 vjet.

Ndodhia e djeshme ishte një ndodhi shumë e rëndë për demokratët padiskutim por ishte e rëndë për të gjithë shqiptarët, gjithë Shqipërinë.

Tre a katër miq të huaj më kanë marrë të habitur për të më pyetur nëse është e vërtetë, a është e vërtetë që është sulmuar selia e opozitës nga njerëzit e saj. Sepse lajmi mori dhenë.

Një lajm absurd, krejt befasues sa i rëndë aq edhe qesharak që një vend demokratik sulmohet me dhunë selia e partisë së opozitës nga vetë mbështetësit e saj.

Është diçka që nuk ka ndodhur në historinë e botës demokratike, diçka ekstreme, diçka që shkon përtej çdo logjike dhe diçka për të cilën sigurisht shumëkush mund të mendojë se për mua është e mirëseardhur, por në fakt jo. Nuk i vë faj kujtdo që mendon se kjo është e mirëseardhur në aspektin cinik të politikës dhe të përfitimit të ngushtë politik, por një zhvillim i kësaj natyre që patjetër e dobëson kundërshtarin politik, në fakt godet vendin. Godet shoqërinë, të gjithë ngrehinën e kulturës politike e cila për të gjitha arsyet që dimë për shkak të historisë e traditës, jo dhe aq bujare të shqiptarëve në raport me institucionet, shtetformimin e kështu me radhë, përbën realisht një problem kjo kulturë politike e cila dje ka marrë një goditje të tmerrshme.

Dhe kjo shkon përtej dobësimit të kundërshtarit politik, ky është një shkatërrim që nuk dëmton vetëm PD-në si parti, dëmton institucionin demokratik të opozitës patjetër, por dëmton ngrehinën institucionale të këtij vendi, por edhe gjithë kornizën institucionale të vendit dhe patjetër qëe kjo është përgjegjësi e dy personazheve që janë të dy pa asnjë vizion ardhmërie, pa asnjë projekt politik, pa asnjë mesazh më të fortë se sa akuza ndaj njëri tjetrit se kush nga të dy është shërbëtori im. Pikë e zezë! Këta dy personazhe janë e njëjta mbetje e asaj partie të ndarë përgjysmë.”- tha Rama.