Vendosni fjalën kyçe....

SPAK kërkon heqjen e imunitetit për Fatmir Mediun e Alqi Bllakon, shkresa prej ditësh në Kuvend


Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për heqje imuniteti për deputetin e Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe atë të Partisë Socialiste Alqi Bllako.

Kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve është dërguar që në muajin dhjetor në Kuvend por qëndron prej 15 ditësh në zyrën e Lindita Nikollës.

Çështja Gërdeci dhe akuzat ndaj Fatmir Mediut

Fatmir Mediu i cili është i përfshirë në çështjen “Gërdeci” është akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal, sipas njoftimit të SPAK.

Gjykata e Lartë rrëzoi në dhjetor të 2021, rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.

Çështja ndaj ish-ministrit është ri-hapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.

Në shpërthimin e madh që ndodhi në fabrikën e demontimit në Gërdec, më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.

Afera e inceneratorëve dhe dyshimet mbi rolin e Alqi Bllakos

Ndërsa Alqi Bllako është kallëzuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim si i përfshirë në aferën e inceneratorëve ku ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka tashmë është i arrestuar së bashku me dy pronarët (në arrati) e incineratorëve Klodian Zoto e Stella Gullallja.

Alqi Bllako ka qenë Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit gjatë kohës që drejtohej nga Lefter Koka dhe është kryer procedura për koncesionin e inceneratorëve.

Skema e krijuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim

Bllako dyshohet se ka pasur rol duke nënshkruar kërkesat për shtim fondesh për djegësit e plehrave dhe urdhër pagesat që u shkonin inceneratorëve.

Gjithashtu në media është përfolur se familjarë të Alqi Bllakos kanë përfituar direkt nga kompanitë e inceretaroëve çka hedhin dyshime se ai ka favorizuar këto subjekte me rolin që ka pasur.

Madje kryetarja e LSI-së publikoi një dokument ku shihej pagesa e majme e të atit të Alqi Bllakos te inceneratori i Tiranës.