Vendosni fjalën kyçe....

“MasterChef” shkakton polemika në Ekuador e Kolumbi pas gatimit me peshkaqen, aligator e kapibara


Një episod i ‘MasterChef Ecuador’ ka shkaktuar një reagim të madh, me qeverinë e Kuitos që ka paralajmëruar se ngrënësit e kafshëve të egra mund të përfundojnë në burg, ndërsa Kolumbia ka nisur një hetim për përbërësit e përdorur.

Të martën, qeveria e Ekuadorit kritikoi shfaqjen ‘MasterChef’ të vendit pasi një episod i fundit përmbante përbërës si tollo (një peshkaqen i vogël), një aligator, një lloj dreri i egër dhe një kapibara (brejtës i madh që mund të peshojë deri në 80 kilogramë.)

Në një deklaratë, Ministria e Mjedisit e Ekuadorit tha se ‘kundërshton promovimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes së ndaluar ose audiovizive që nxit blerjen dhe ngrënien e kafshëve të egra ose të pjesëve përbërëse të tyre’.

Ministria u kujtoi gjithashtu qytetarëve se dënimet variojnë deri në tre vjet burg për krime kundër florës e faunës.

Lëvizja Kombëtare e Kafshëve të Ekuadorit gjithashtu kritikoi shfaqjen, e cila është filmuar në Kolumbinë fqinje, duke vënë në dukje se programi mund të ‘nxisë’ ngrënien e kafshëve të rrezikuara dhe të mbrojtura.