Vendosni fjalën kyçe....

Escobar: SHBA-ja do i përdorë të gjithë mekanizmat për të goditur aktorët e korruptuar e destablizues në rajon


Shtetet e Bashkuara nuk do hezitojnë të përdorin sanksionet për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues në rajon, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një intervistë për agjencinë malazeze MINA, Escobar tha se liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë në interes të qytetarëve, në vend që të punojnë për interesat e tyre personale dhe partiake.

“Ne nuk do hezitojmë të përdorim sanksione ose mekanizma të tjerë për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues.” – tha Escobar.

Ai vlerësoi se politika identitare, e cila ndan dhe që ka penguar përparimin e rajonit në të kaluarën, nuk ka bërë asgjë për interesat e njerëzve nga Ballkani Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara do të jenë një partner për ata që kanë një qasje konstruktive, jo shkatërruese, ndaj të ardhmes së këtij rajoni, i cili karakterizohet nga anëtarësimi në BE dhe NATO, si dhe një ekonomi dinamike dhe transparente.” – shtoi Escobar.

Siç tha ai, Ballkani është rajoni me rritje më të shpejtë në Evropë, ndaj zhvillimi i këtij potenciali ekonomik duhet të jetë në krye të prioriteteve të Malit të Zi.

“Është shumë frustruese dhe  joproduktive që politikanët dhe aktorët e tjerë po shfrytëzojnë temat e identitetit për të fituar pikë politike në kurriz të përparimit ekonomik dhe pajtimit rajonal.” – tha Escobar.

Ai shtoi se kjo është një taktikë e zakonshme në Ballkanin Perëndimor, ku liderët politikë përdorin ndarjet historike për të mbjellë përçarje mes votuesve dhe për të bllokuar përparimin e shteteve.