Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria në Bosnjë ngre akuzë për krime lufte për 9 serbë


Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës tha se ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë serbëve të Bosnjës për vrasjen e mbi 100 boshnjakë. Vrasjet thuhet se kanë ndodhur pak kohë pas nisjes së luftës në Bosnje më 1992.

Kjo aktakuzë është në vazhdën e disa aktakuzave që janë ngritur së fundmi në Bosnje e Hercegovinë lidhur me krimet e luftës.

Në njoftimin e Prokurorisë u tha se nëntë ish-anëtarë dhe komandantë të ushtrisë së serbëve të Bosnjës dyshohet se janë përfshirë në vrasjen e dhjetëra grave, të moshuarve dhe fëmijëve nga 2 deri në 15 vjeç në zonën Nevesinje, të dominuar nga serbët, në juglindje të Bosnjës, raporton REL.

“Mbetjet mortore të 49 personave janë gjetur, ndërkaq 47 viktima ende konsiderohen të pagjetur”, u tha në njoftimin e Zyrës së Prokurorit. Të dyshuarit u arrestuan më 16 dhjetor.

Prokuroria tha se në mesin e viktimave janë edhe shtatë familje që janë vrarë.

Njoftimi për ngritjen e aktakuzës vjen në kohën kur janë kryer disa arrestime për krime lufte nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje e Bosnje e Hercegovinës.

Bosnja shpalli pavarësinë më 1992 që nxiti konfliktin e viteve 1992-95, ku u vranë pothuajse 100 mijë persona dhe u zhvendosën mbi 2 milionë të tjerë.