Vendosni fjalën kyçe....

Pendarovski i dorëzon mandatin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevskit


Presidenti Stevo Pendarovski i dorëzoi sot mandatin për krijimin e qeverisë së re liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

“Në bazë të nenit 84, paragrafi 1, alinea një nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe njoftimin për propozimin për mandatar të dorëzuar nga LSDM-ja, ndërsa të mbështetura nga partitë politike në përbërje të koalicoonit të cilët së bashku e kanë shumicën të përshkruar me Kushtetutën në Kuvend, për mandatar për përbërjen e qeverisë e përcaktoj Dimitar Kovaçevskin, kryetar i LSDM-së.”- tha presidenti Pendarovski në vilën “Vodno”, citon Zhurnal.

Gjatë fjalës së tij, Kovaçevski deklaroi se mandati për të paraqet nder dhe përgjegjësi.

“Prej sot filloj me formimin e ekipit të ri të njerëzve të cilët duhet të përgjigjen në sfidat serioze të cilat na presin nga fillimi i vitit të ardhshëm.”- tha Kovaçevski.

Ai theksoi se jemi duke u përballur me probleme afatgjata dhe për këtë kemi nevojë për njerëz të qëndrueshëm, të guximshëm dhe të përgjegjshëm, të cilët, siç tha ai, do të marrin përgjegjësinë, për t’u përballur dhe për t’i tejkaluar të gjitha pengesat për mbrojtjen dhe kujdesin për qytetarët.

Paralajmëroi se qeveria e re do të ketë qëllim të qartë, garantim të sigurisë, jetë më të mire dhe të ardhme për qytetarët.

“Për këtë nevojitet qeverisje efikase, e ndershme dhe e përgjegjshme, e cila do të jetë veçori e ekipit që do ta formoj si kryeministër.”- theksoi Kovaçevski. Paralajmëroi se do të angazhohet për të rikthyer besimin e qytetarëve në politikë dhe institucione. Ai premtoi se do të qëndrojë për institucione të pavarura dhe një shoqëri të drejtë.

Kuvendi javën e kaluar e konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, me çka filloi afati dhjetë ditor në të cilin presidenti Pendarovski duhet t’i besojë mandatin për formimin e qeverisë së re.

Këshilli qendror i LSDM-së në seancën që u mbajt të hënën zyrtarisht e konfirmoi Kovaçevskin si kandidat për kryeministër të ri. Kovaçevski ka paralajmëruar formimin e qeverisë së re në mesin e muajit të ardhshëm, më së voni deri më 18 janar.