Nëse Moska cenon sovranitetin e Ukrainës, SHBA do të vendosë sanksione kundër Rusisë siç askush nuk i ka parë më parë. Kështu ka paralajmëruar të dielën nënpresidentja e SHBA-ve, Kamala Harris.
Në një intervistë për CBS, Harris tha se Uashingtoni po koordinon pozicionin e tij me aleatët dhe po sigurohet që Kremlini të jetë i vetëdijshëm për pasojat e mundshme të veprimeve ushtarake.
“Ne jemi duke zhvilluar biseda të drejtpërdrejta me Rusinë. Presidenti, siç e dini, u takua së fundmi virtualisht me Putinin dhe ne e kemi shumë të qartë se Rusia nuk duhet të pushtojë sovranitetin e Ukrainës, dhe ne duhet të ngrihemi dhe të mbrojmë integritetin e saj territorial.”– tha ajo, citon RT. “Ne po punojmë me aleatët tanë në këtë drejtim dhe e kemi qenë shumë të qartë se jemi të përgatitur të lëshojmë sanksione siç nuk i keni parë më parë.”
Kjo nuk është hera e parë që Uashingtoni njofton një veprim të mundshëm të paprecedentë kundër Rusisë. Në fillim të këtij muaji, Sekretari i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi se, në rast të një konflikti ushtarak midis Moskës dhe Kievit, SHBA do të vendosë “masa ekonomike me ndikim të lartë” ndaj Rusisë, për të cilat ishte “përmbajtur nga përdorimi në të kaluarën”. Këtë gjë e bëri jehonë edhe nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland.
Kërcënimi për vendosjen e masave më të forta ekonomike vjen pas pretendimeve të mediave perëndimore dhe politikanëve se Moska ka filluar të përqendrojë trupat në kufirin e saj me Ukrainën, me synimin për të nisur një ofensivë në të ardhmen e afërt. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se Rusia thjesht po lëviz forcat e saj të armatosura brenda territorit të saj dhe se raportet për një sulm janë të pabaza.
Javën e kaluar, agjencia britanike e lajmeve Reuters raportoi se Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e ndalimit të eksporteve të teknologjive konsumatore dhe industriale në Rusi, të tilla si komponentë për telefonat inteligjentë dhe aeroplanët. Kjo, si pjesë e një pakete më të madhe sanksionesh, mund të ndikojë seriozisht konsumatorët, operacionet industriale dhe punësimin.