Vendosni fjalën kyçe....

Polonia akuzon Gjermaninë se po e shndërron BE-në në ‘Rajhun e Katërt’


Zëvendëskryeministri i Polonisë ka akuzuar Gjermaninë se po përpiqet të krijojë një Rajh të Katërt, duke pretenduar se po përfiton nga Bashkimi Evropian për t’i privuar kombet e tjera nga sovraniteti dhe për t’i detyruar ato të futen në një formë moderne ‘skllavërie’.

Duke folur për përplasjen e tanishme të Polonisë me BE-në lidhur me një mosmarrëveshje gjyqësore në vazhdim, zëvendëskryeministri Jarosław Kaczynski i tha një gazete lokale se disa shtete ‘nuk janë entuziaste në perspektivën e një Rajhu të Katërt Gjerman që po ndërtohet mbi bazën e BE-së’, duke argumentuar se Berlini ka abuzuar me mekanizmat ligjorë të bllokut për të privuar vendin e tij nga ‘e drejta për vetëvendosje’.

“Nëse ne, si polakë, do të pranonim një robëri të tillë bashkëkohore, do të degradoheshim në mënyra të ndryshme.” – tha ai, duke shtuar se nëse Polonia do të ndiqte qasjen e BE-së ndaj politikës ekonomike dhe energjetike, ‘do të thoshte se qytetarët tanë do të ishin më të varfër brenda pak vitesh nga sa janë tani’.

Vërejtjet e Kaczynskit erdhën menjëherë pasi BE-ja nisi veprime ligjore kundër qeverisë polake, duke e akuzuar atë për anashkalim të ligjeve dhe rregulloreve evropiane. Dy vendime të mëparshme në gjykatat polake vendosën që ligjet e vetë vendit të kenë përparësi ndaj atyre të BE-së, një pozicion i refuzuar nga blloku, i cili këmbëngul se shtetet anëtare janë të detyruara të ndjekin rregullat e tij.

Megjithatë, zëvendëskryeministri mbrojti gjithashtu komentin e tij ‘Rajhu i Katërt’, duke thënë se ai nuk donte ta krahasonte Berlinin me regjimin gjenocidal nazist të udhëhequr nga Adolf Hitleri.

Kaczynski pohoi se Berlini tani po përpiqet të dominojë Gjykatën e Drejtësisë të bllokut në mënyrë që t’i nënshtrojë shtetet e tjera anëtare ndaj vullnetit të tij.

“Gjykata është mjeti bazë i përdorur në këtë veprim.” – tha ai.