Vendosni fjalën kyçe....

Kadastra legalizon objektet e kultit për Krishtlindje, Artan Lame: Këtu edhe shtëpitë e Zotit ndërtohen pa leje


Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, ka vijuar traditën që në prag të festave të pajisë me dokumentet e pronësisë objekte fetare.

Lame i ka dorëzuar sot imzot Angelo Massafres, Ipeshkvi i Dioqezës Shkodrës, certifikatën e legalizimit të Kishës së Koplikut dhe “Muzeut kundër genocidit Shkodër” ndërtuar në marrëveshje me Ministrinë e Kulturës nga Provinca Françeskane, “Zonja Nunciatë”.

Shumica e objekteve fetare të të gjitha Komuniteteve fetare, të ndërtuara rishtazi pas vitit 1991, janë ndërtuar pa leje ndërtimi. Për shembull Kisha e Koplikut u ndërtua tërësisht e re pas vitit 1991.

Gjatë fjalës së tij, ndërsa dorëzonte certifikatën, Lame tha se: “Jetojmë në një vend ku edhe shtëpitë e Zotit ndërtohen pa leje”

Më pas ai shtoi: “Është absurde që shteti shqiptar nuk ka qenë në gjendje që të pajisë me leje që përpara ndërtimit të paktën objektet fetare, duke bërë që të gjendemi përpara nevojës së legalizimit edhe për shtëpitë e Zotit”.

Lame bëri me dije gjithashtu se “me kishën e Koplikut dhe muzeun e Franceskanëve, shkon në 162 numri i objekteve të legalizuara të Komunitetit Katolik, ku përmenden kisha, manastire, objekte të shenjta dhe strehimore që kujdesen për të varfrit”.