Vendosni fjalën kyçe....

Salianji: Kjo është një përplasje mes Lindjes dhe Perëndimit, kjo sallë ndrin, nga ana tjetër po turpërohen nëpër qoftore dhe bilardo


Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e ka quajtur ditën e sotme një momenti historik në të cilin ndodhet kjo forcë politike.

Salianji e cilësoi situatën e krijuar në PD si një përplasje mes Lindjes dhe Perëndimit dhe që sipas tij kjo përballje ishte e pamundur për t’u shmangur.

Ai ka ironizuar aktivitetin paralel të zhvilluar nga ish-kryeministri Sali Berisha, referendumin e thirrur prej tij për ratifikimin e shkarkimit të Lulzim Bashës.

Salianji tha se ata të cilët po organizojnë referendumin duke krijuar variante për hallin personal nëpër bilardo dhe qoftore, po turpërojnë veten e tyre.

“Në njërën anë ky Kuvend ndrinte de më vinin shumë mesazhe që më thoshin se ky Kuvend ndrinte, ndërkohë nga ana tjetër jepeshin pamje nëpër qoftore dhe nëpër bilardo të atyre që kanë marrë shumë nga Partia Demokratike dhe që sot tentojnë në emër të interesit të bëjnë variante jo vetëm që nuk ngjisnin por turpërojnë secilin prej tyre. Ky Kuvend është në një moment kritik dhe janë të pashmangshme për t’u përballur.

Ky moment është kulmor jo vetëm në karrierën e çdo politikani po de të çdo anëtari dhe kontribuesi të kësaj force politike.

Ky Kuvend zhvillohet në një moment historik dhe vendimtar për Partinë Demokratike, Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Në një përplasje të qartë që kushdo që tenton ta fshehë nuk e bën dot. Në një përplasje të qartë mes lindjes dhe perëndimit në këtë vend dhe jam më shumë se i bindur që kushdo prej jush ndjehet i nderuar që po bën një betejë të drejtë, që është dhe jemi në anën e duhur të historisë.”- u shpreh Salianji.

Ai i referohet fotos që ka qarkulluar në rrjet, ku Edmond Spaho votonte në një kuti votimi të vendosur mbi një tavolinë bilardoje.