Vendosni fjalën kyçe....

Grida Duma: Mos t’i kthejmë SHBA-të në sinonim të Bashës, e as demokratët e Foltoreve në sinonim të “konvulsionit antiamerikan” të Berishës


Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma, u ka bërë thirrje demokratëve që të mos i kthejnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një sinonim të Lulzim Bashës, e as demokratët e Foltoreve në sinonim të “konvulsionit antiamerikan” të Sali Berishës.

Gjatë fjalës së saj, Duma tha se ajo i kupton demokratët që kanë mbështetur ish-kryeministrin Sali Berisha, por shprehet se nuk mundet dot që për hatër të tij të kontribuojë për një PD në përplasje me SHBA-të. Ama nga ana tjetër theksoi se nuk mund ta ndjekë verbërisht Lulzim Bashën, të cilin e kritikon për udhëheqjen e tij.

Megjithatë Duma shprehet se nuk janë vetëm gabimet e Lulzim Bashës që e sollën PD-në këtu ku është sot, por janë gabime të përbashkëta. Ajo thekson gjithashtu se pavarësisht se çfarë thotë Berisha, Basha është kryetari legjitim i kësaj force politike.

“Unë dhe ju jemi sot këtu sepse këtu duhet të jetë çdo demokrat i vërtetë që e di misionin e PD-së.

Unë nuk mund të isha kurrsesi në një miting të interesit personal të Sali Berishës, megjithëse ndjej njerëzisht keqardhje për damkosjen e tij me listën e zezë të SHBA-ve.

Por demokratë, unë nuk jam këtu kurrsesi për t’u bërë maska antizhgënjim e Lulzim Bashës.

Ishin pasojat e gabimeve tona, padyshim edhe të kryetarit tonë që çuan qindra demokratë në atë mitingun e 11 Dhjetorit të inatosur me gjendjen politike të familjes sonë.

Kam qenë me sytë e me veshët hapur ndaj atyre demokratëve atje, që nuk shkuan në atë miting për të luftuar Amerikën bashkë me Sali Berishën. JO! Në fakt disa shkuan atje për të larguar kryetarin e partisë përmes një kryengritje tërësisht personale dhe thellësisht antiamerikane të Berishës. Sali Berisha ishte mjeti dhe jo qëllimi i tyre dhe kjo parti duhet ta bëjë qëllim të sajin madhor kthimin e atyre demokratëve nga rruga e verbër e karshillëkut provincial ndaj SHBA-ve. Sepse ky është viti 2021 jo 1914 dhe Shqipëria nuk mund dhe nuk do të kthehet 100 vjet mbrapa hipur mbi mushkënb e marrëzisë haxhiqamiliste.

Sytë e mi sot e ndajnë qartësisht ish-kryetarin Berisha nga ata demokratë qartësisht të revoltuar me lidershipin. Veshët e mi e ndajnë qartësisht klithmën e dëshpëruar të Sali Berishës nga dëshpërimi i atyre demokratëve të inatosur vërtetshmërisht me lidershipin.

Troç fare, unë me zemër isha dhe jam edhe me ata demokratë atje, por jo me Sali Berishën.

Por me ata demokratë të sfilitur me humbjet e njëpasnjëshme para regjimit të Edi Ramës.

Por me mëndje jam sot këtu, jo për Lulzim Bashën, por me këta delegatë dhe këta demokratë të thjeshtë, që nuk e konceptojnë dot partinë e tyre nën hijen e listës së zezë të SHBA-ve.

Ama jua them qartë që nëse për hatër të Sali Berishës, nuk mund të imagjinoj e jo më të kontribuoj për një PD në përplasje me SHBA-të, as për hatër të aleancës së patjetërsuar me SHBA-të unë nuk mund të ndjek dot me sytë dhe veshët mbyllur Lulzim Bashën, kështu që do ju bëja thirrje të gjithëve që mos t’i kthejmë SHBA-të në një sinonim të Lulzim Bashës, e as demokratët e Foltoreve në sinonim të konvulsionit antiamerikan të Berishës.

Thënë këtë, ne nuk jemi këtu për të kontestuar legjitimitetin e kryetarit e as për t’i kërkuar dorëheqjen, dorëheqjen ndoshta ai duhe ta kishte konsideruar atëhere kur në fakt Berisha jo vetëm nuk ia kërkoi por doli me vrap krah tij e bashkë me të i dolëm në krah ne të gjithë, e ndoshta i dolën edhe ata që i ngritën gijotinën tek ai stadiumi.

Ia dhamë votën pa i thënë asnjë fjalë, edhe kur nuk i fituam zgjedhjet. Kështu kemi gabuar që nga viti 2013. Prandaj ky absurd erdhi në këtë pikë kur Lulzim Basha doli humbësi i vetëm tani që Sali Berisha humbi fytyrën nën bojën e listës së zezë non grata.

Por do apo nuk do Sali Berisha, ti je kryetari legjitim i Partisë Demokratike dhe mitingu i 11 Dhejtorit nuk e ndryshon dot këtë fakt.”- deklaroi Duma.