Vendosni fjalën kyçe....

Plotësohet trupa gjykuese, tre gjyqtarët që do të vendosin për Saimir Tahirin dhe Jaeld Çelën


Plotësohet trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Trupa gjykuese do të kryesohet nga Daniela Shirka dhe dy anëtarët Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi.

 “Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, për çështjen në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar, është planifikuar seanca gjyqësore në datë 20.12.2021, ora 09:00.

Pas plotësimit të trupit gjykues, ka rezultuar se çështja do të shqyrtohet nga kryesuese – gjyqtarja Daniela Shirka, anëtar – gjyqtari Engert Pëllumbi dhe anëtare – gjyqtarja Igerta Hysi.”– ka njoftuar Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Dosja e ish-ministrit Tahiri do të nisë rishqyrtimin më 20 dhjetor të këtij viti, në orën 09:00.

Kujtojmë se Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë pranoi për ta gjykuar. Disa javë më parë, Gjykata e Lartë, vendosi që dosja rikthehet edhe njëherë në Apel.