Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i Kokës, Balla-studentëve: Cilido që akuzohet nga SPAK duhet të përballet vetë më drejtësinë


Kreu i grupit parlamentar të POS-së, Balla, ka ‘larë duart’ nga ish-ministri Lefter Koka, i cili është arrestuar lidhur me kërkesë të SPAK mbi çështjen e incineratorit të Elbasanit.

Në një takim me studentët në mjediset e Kuvendit, Balla tha se PS-ja ka qëndrim të qartë kur vjen puna te zyrtarët e akuzuar nga prokuroria, të cilët duhet të përballen vetë më drejtësinë.

Ai shtoi më tej se reforma në drejtësi do e çojë vendin në rrugën e Europës dhe se ajo po jep rezultate të qarta duke e shndërruar sistemin e drejtësisë.

“Ju tregova studentëve se pesë vite e ca muaj më parë miratonim në Kuvend ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi, e cila është duke dhënë rezultate të qarta, duke nisur ta transformojë drejtësinë nga themelet, nga hallkën më të kalbur të shoqërisë shqiptare, në një gur themeli të një shteti të mirëfilltë europian, ku ligji vjen përpara gjithçkaje e ku ligji i trajton të gjithë si të barabartë. E pra, sot ne socialistët jemi më shumë krenarë për votën e dhënë për Reformën në Drejtësi. Sot me rezultatet e dukshme dhe punën e SPAK-ut, të Gjykatës Kushtetuese etj., të gjithë mund të vërejnë qartë se sa e rëndësishme ishte Reforma në Drejtësi për të ardhmen e vendit tonë. Më vjen mirë që veprimet e SPAK-ut po duartrokiten. Ka qenë dhe mbetet qëndrimi i Partisë Socialiste: Kushdo qoftë i akuzuari nga SPAK-u, pa dallim partie duhet të perballet vetë me akuzën! Partia Socialiste nuk i ka askujt asnjë borxh dhe i sugjeroj çdo partie në Shqipëri ta ndjekë këtë qasje. Është reforma në drejtësi, ajo që ka vendosur Shqipërinë në rrugën e Europës! Ata që e shanë, u munduan ta pengojnë, apo që u zotuan ta çbëjnë,  duhet të kërkojnë falje.” – shkruan Balla në Faceboook.