Vendosni fjalën kyçe....

“Kam zbatuar ligjin” – Çfarë deklaroi Lefter Koka sot para Gjykatës


Ka përfunduar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe GJKKO është tërhequr për marrjen e vendimit.

Ish-ministri Koka u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nën masa të rrepa sigurie. Kujtojmë se ish-ministri Koka u arrestua dy ditë më parë nga SPAK.

Sipas gazetares Klodiana Lala, Koka ka mbajtur një qëndrim mohues ndaj 3 akuzave që rëndojnë ndaj tij në lidhje me çështjen e abuzimit me inceneratorët.

Gazetarja ka raportuar për “Balkanweb” se në këtë seancë, ish-ministri Koka ka deklaruar para togave të zeza se ka zbatuar vetëm ligjin.

“Kam zbatuar ligjin”- është shprehur Koka.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, u arrestua dy ditë më parë lidhur me aferën e inceneratorëve.

Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

SPAK ka shpallur në kërkim edhe biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.