Vendosni fjalën kyçe....

Voltana Ademi: Si në vitet ’90, historia po thërret në skenë sërish Partinë Demokratike, me Bashën patëm vetëm rezultate negative


E vetmja drejtuese lokale që mban siglën e PD-së, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka mbajtur gjithashtu një fjalim në skenën e ngritur në stadium për Kuvendin e PD-së të thirrur nga Sali Berisha

Gjatë fjalës së saj, Ademi tha se në 8 vitet e fundit PD ka arritur vetëm rezultate negative, por edhe vendi ka vuajtur.

 “Shqipëria në këto 31 vite ka bërë hapa përpara, por ndryshimet më të mëdha kanë ndodhur në vitet e qeverisjes ë PD-së.

 Gjatë viteve të qeverisjes së PD, vendi ka pasur rritjen më të lartë ekonomike dhe më të konsoliduar ndër vendet e rajonit. Është një trashëgimi për të cilën ne në këtë vend dhe jashtë tij kemi arsye të ndihemi krenarë.

Këto tetë vitet e fundit kemi shënuar vetëm rekorde negative. Të rinjtë po braktisin vendin, PPP po grabisin paratë e shqiptarëve, jemi kthyer në epiqendër të trafikut të drogës, të gjitha pushtetet janë centralizuar në dorë dhe po rrëshqasim në një diktaturë me pamje të rrejshme.

Por kjo situatë e rëndë duhet ndryshuar dhe do ta ndryshojmë të gjithë bashkë. Historia shpeshherë bëhet ciklike. Si në vitet ’90, historia thërret në skenë sërish Partinë Demokratike.

Në 31 mars 1991, komunistët fituan zgjedhjet e zhvilluara, por më pak se një vit më pas, PD arriti të marrë mbi dy të tretat e votave të shqiptarëve duke e shkëputur vendin nga diktatura. Nuk kishte magji. Ishin të njëjtët shqiptarë që e çliruan me votë.

Sot gjendeni thuajse në të njëjtën situatë. Qeverisemi nëpërmjet vjedhjes së votave nga nipër e bij të atyre që ishin pjesë e nomeklaturës. Duket e vështirë që kjo kastë të largohet, por në fakt ata janë të dobët të zhytur në korrupsionin e tyre dhe përvetësimin e pushteteve. Ne e kemi një armë që ia kemi provuar suksesin: bashkimin. Gjërat që na bashkojnë jo vetëm si demokratë e shqiptarë janë më shumë se ndasitë e momentit.

Me besim tek njeri tjetri dhe shqiptarët vullnetmirë duhet të ringrihemi më të fortë për të rrëzuar regjimin. Partia Demokratike është më e rëndësishme se secili prej nesh, është familja jonë. Ne mund ta bëjmë të gjithë bashkë!”- deklaroi Ademi.