Vendosni fjalën kyçe....

“Ministret bëjnë paradë mode” – Deklarata e deputetit irriton Ballukun e Spiropalin: Ky është stereotipizim gjinor (DEBATI)


Deputeti Dashnor Sula ka shkaktuar reagime të forta tek ministret socialiste Belinda Balluku dhe Elisa Spiropali, pasi u shpreh se “ministret po bëjnë paradë mode”.

Sula u ankua për borxhin, për ngritjen e çmimeve dhe gjatë fjalës së tij u shpreh se ministret

“A e dini se çmimet në të gjithë Shqipërinë janë rritur? Tetori 2021 krahasuar me Tetorin 2020, rritja më e madhe e çmimeve vihet re në sektorin e Transportit me 6.8 % krahasuar me grupin e ushqimeve dhe pijet joalkolite me 3.9 %.

Brenda grupit të ushqimeve, çmimet e nëngrupit, bajra dhe yndyrna u rritën me 7.7%, në nëngrupin e frutave 6.9%, bukë dhe drithëra me 5.5%, sheqer, reçel, ëmbëlsira me 4.7 %, zarzavate me 3.8 %…

Çfarë mund të thuhet më shumë?! Dalin ministrat këtu e bëjnë paradë mode. Na akuzojnë e anatemojnë ne opozitën. Çfarë kemi ne në dorë, fjalën dhe denoncimin. Nëse na ikin edhe fjalët dhe denoncimi do ishte e turpshme që të ekzistonte Parlamenti. Kjo është e vërteta, ky është realiteti. Nuk po e shpikim ne. Janë shifrat. Kthehemi tek çmimet. A e dini që në Shqipëri çmimet e karburanteve rriten përditë?”- tha Sula.

Deklaratës së tij iu kundërpërgjigj ministrja e Energjetikës dhe Instrastrukturës Belinda Balluku, e cila mori fjalën pas tij.

Ajo u shpreh: “Thatë do them shifra dhe pastaj u morët me modën e ministreve. Tani ne për të thënë të drejtën dallohemi pak nga vajzat e gardës, se vishemi me kostume të zeza e pantallona se do zbresim edhe në terren kështu që mos ti futemi kush bën modë më shumë. Nuk e di ku i patë numrat? Edhe njëherë, kur dilni këtu duhet të dilni me numra dhe me fakte.”

Ai ndërhyri përsëri duke thënë: “Shquheni për të bërë kilometra. Kryeministri jonë i ka bërë kilometrat me charter. Këto janë të vërteta. Ky është lluksi. Ka dhe zonja të nderuara në qeveri dhe jo të korruptuara. Ka dhe deputetë me integritet. Ka dhe deputetë që kanë zonat e tyre të parajsës. Unë fola me shifra. Për të bërë paradë mode unë nuk di ta bëj paradën e modës.”

Ministrja tjetër Elisa Spiropali u kundërpërgjigj gjithashtu duke thënë se me deklaratën e tij, seputeti Sula po stereotipizonte.

 “Të thuash ministret bëjnë paradë mode është stereotipizim gjinor. Përdorimi i gjuhës sjell edhe çështje të tjera. Shembuj të tillë le t’i shmangim. Çështjet e punës, duhet ta dini që këto gra këtu mbajnë peshën më të madhe të qeverisjes së vendit. Sa për udhëtimet e kryeministrit, sigurisht që do udhëtojë kryeministri se ka për të marrë çmime. Të jeni të sigurt që kilometrat që ne bëjmë në tokë, det apo ajër janë për t’i shërbyer këtij vendi. Për model e për flokë e për xhel e të tjera ju dihet kë keni.”- u shpreh Spiropali.