Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptari i dha fund jetës në furgonin e Policisë greke, flet i vëllai: Dilte për 2-3 muaj nga burgu, atë e vranë gardianët


Vëllai i të burgosurit shqiptar që sipas autoriteteve greke u var me lidhësen e këpucëve në furgonin e policisë, ka reaguar sot për mediet duke bërë akuza të forta nga autoritetet e burgut në Greqi.

Shkëlqim Rusi në një prononcim për mediat tha se kishte komunikuar vetëm 3 orë përpara ngjarjes me vëllanë e tij dhe ai nuk i kishte dhënë shenja që ishte në gjendje të rëndë psikologjike. Për më tepër që sipas tij atij i kishin mbetur edhe 2-3 muaj për të përfunduar dënimin.

Sipas vëllait të viktimës, atij i ishin dhënë disa versione nga drejtori i burgut, të cilat ai nuk i beson por ngre dyshime se i vëllai është vrarë.

 “Unë kisha folur 2-3 orë para ngjarjes me vëllanë në mënyrë private, më pas më morën në telefon më thanë se ‘e kemi dërguar në spital për vizitë mjekësore rutinë’ Drejtori i burgut. Pastaj më thanë që kishte pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali ‘vari veten me lidhësen e këpucëve’.

Kjo për mua është e pa pranueshme, për mua është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin.

Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetëvrasje. Atë e kanë vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar.

Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjellën e furgonit, kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke.

Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë. Të bëhet autopsia pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë.

Kemi shkuar në prokurorinë e Korçës dhe më kanë thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush se merr përsipër, nuk duan belara, nuk di ç’të them.

Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor. Edhe 3 vjet të rrinte nuk do e bënte këtë gjest. Nuk bëj dot aludime kot kur nuk di të vërtetën.

Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Është e pamundur. Kërkojmë të zbardhet e vërteta.”- tha vëllai.