Vendosni fjalën kyçe....

Vetëm dy muaj në detyrë, jep dorëheqjen kancelari austriak


Alexander Schallenberg ka njoftuar se do të japë dorëheqjen si kancelar i Austrisë, vetëm dy muaj pas marrjes së detyrës. Ai tha se do të qëndronte në këtë post derisa partia e tij të binte dakord për një lider të ri pas largimit të Sebastian Kurz.

Vetëm disa orë më parë, paraardhësi i Schallenberg dhe udhëheqësi i Partisë Popullore Kurz tha se ai po largohej nga politika dhe do të tërhiqej zyrtarisht si kryetar i partisë të premten.

Në një deklaratë të enjten, Schallenberg tha se ai beson se “të dy pozicionet – kreu i qeverisë dhe lideri i partisë austriake me më shumë vota – së shpejti duhet të mbahen përsëri nga i njëjti person”.

“Prandaj po e vë në dispozicion postin tim si kancelar sapo të jetë vendosur kursi përkatës brenda partisë,” shtoi ai.

Schallenberg kishte hyrë në postin e kancelarit pasi Kurz u largua nga posti mes akuzave për korrupsion në tetor. Shumë prisnin që ky i fundit të kthehej, por ai njoftoi tërheqjen e tij nga politika të enjten, duke këmbëngulur se kjo lëvizje nuk ishte një pranim faji, por një vendim personal.

Prokuroria austriake për krimet ekonomike dhe korrupsionin ka hapur një hetim për Kurz dhe një numër të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë pas akuzave se ata manipuluan sondazhet e opinionit krahas keqpërdorimit të fondeve publike për të siguruar mbulim të favorshëm mediatik të politikave të tij midis 2016 dhe 2018. Kurz ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo shkelje.