Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministrja e parë grua e Suedisë, Magdalena Andersson rikthehet pas dorëheqjes


Magdalena Andersson është riemëruar si kryeministrja e parë grua e Suedisë, pasi trazirat politike e detyruan atë të jepte dorëheqjen brenda disa orësh pasi mori postin javën e kaluar.

Siç shkruan BBC, deputetët e mbështetën udhëheqësen e Partisë Social Demokrate Magdalena Andersson me një diferencë të ngushtë në një votim të ri të hënën.

Ajo do të përpiqet të udhëheqë një qeveri njëpartiake deri në zgjedhjet që do të mbahen në shtator të vitit të ardhshëm.

Andersson u largua nga posti i kryeministres të enjten e kaluar pas rënies së koalicionit të saj. Disa ore pasi u zgjodh kryeministre, plani i saj për formimin e një qeverie të re koalicioni me Partinë e Gjelbër u bë rrëmujë kur propozimi i saj buxhetor dështoi. Në vend të propozimit të Adersson, parlamenti votoi për një buxhet të hartuar nga një grup partish opozitare.

Pas kësaj Partia e Gjelbër tha se nuk do të pranonte një buxhet të hartuar nga e djathta ekstreme dhe u largua nga qeveria, duke çuar në rënien e saj.

Sipas konventës, kryeministri në Suedi pritet të japë dorëheqjen nëse një parti e koalicionit largohet nga qeveria.