Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 14 mijë anëtarë të Boko Haram dorëzohen vullnetarisht te autoritetet


Mbi 14.500 anëtarë të organizatës terroriste Boko Haram në Nigeri janë dorëzuar vullnetarisht.

Zëdhënësi i Presidencës së Nigerisë, Garba Shehu vuri në dukje se kohët e fundit në vend është arritur një sukses i madh në luftën kundër organizatave terroriste. “Statistikat e fundit tregojnë se mbi 14.500 anëtarë të Boko Haram-it janë dorëzuar vullnetarisht”, tha ai.

“Përparimi i arritur në vend nuk mund të mohohet”, tha Shehu duke shtuar se përballë krimit dhe pasigurisë në rritje nga qeveria është filluar një përpjekje e re policore me mbështetjen e shoqërisë.

Pavarësisht operacioneve të ndërmarra vitet e fundit, organizata përbën ende problem serioz për sigurinë në Nigeri e cila ka popullsinë më të madhe të Afrikës.

Që nga viti 2009 më shumë se 20 mijë njerëz humbën jetën në aktet e dhunës masive terroriste të organizuara nga Boko Haram, e cila në Nigeri është e pranishme që nga fillimi i viteve 2000.

Organizata që nga viti 2015 e deri më tani ka ndërmarrë sulme edhe në shtetet fqinje si Kamerun, Çad dhe Niger. Të paktën 2.000 persona e kanë humbur jetën nga sulmet e organizatës në pellgun e liqenit të Çadit.