Vendosni fjalën kyçe....

Basha homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut: Kjo ditë na bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut me rastin e Festës së Flamurit dhe 109-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Sikurse shihet edhe nga fotot e mëposhtme, ai ishte i shoqëruar nga drejtues dhe deputetët e PD-së.

Pas homazheve, në një postim në Facebook Basha thotë se kjo festë mbush me krenari zemrat e shqiptarëve, kudo ku ndodhen dhe i bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi.

“Sot kremtojmë ditën më të bukur të Kombit tonë që mbush me krenari zemrat e shqiptarëve, kudo ku ndodhen dhe na bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi, e në nderimin e bijve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka në emër të Kombit dhe nën flamurin kuqezi.

Ne përulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Kombit tonë, luftëtarët e Pavarësisë dhe të rënët për çlirimin nga pushtuesit, tek bijtë dhe bijat e Kosovës e mbarë kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në trojet e tyre stërgjyshërore. Sakrifica e tyre sublime, na frymëzon për plotësimin e aspiratës europiane të shqiptarëve për bashkim, liri dhe demokraci.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Zoti e bekoftë Flamurin tonë kombëtar, Shqipërinë dhe kombin shqiptar!”– shkruan Basha.