Vendosni fjalën kyçe....

Belgjika konfirmon rastin e parë me “variantin më të keq” të koronavirusit


Belgjika ka konfirmuar se ka zbuluar një rast të variantit të ri të koronavirusit që ka shtyrë Evropën dhe Britaninë e Madhe të nxjerrin kufizime udhëtimi për disa pjesë të Afrikës gjatë 24 orëve të fundit.

Politico.eu raporton se ministri i Shëndetësisë Frank Vandenbroucke u tha gazetarëve se varianti u zbulua tek një person i pavaksinuar që kishte udhëtuar jashtë.

Personi, një grua doli për herë të parë pozitive për COVID-19 më 22 nëntor, tha ai.

“Kujdesi është i nevojshëm, por mos u frikësoni.”- tha ministri belg në një paralajmërim publik.

Varianti i ri i njohur si B.1.1.529 dhe që do të quhet “Nu”, u zbulua në Afrikën e Jugutka dhe ka shënuar një rritje të madhe të rasteve gjatë javës së fundit.

Hulumtimi urgjent tani është duke u zhvilluar në Afrikën e Jugut dhe në Mbretërinë e Bashkuar për të kuptuar nëse varianti është më i transmetueshëm dhe më i rrezikshëm.

Shkencëtarët kanë parashikuar se ka të ngjarë që ky variant, të anashkalojë imunizimin nga vaksinimi ose infeksioni pasi ka pësuar kaq shumë mutacione. Megjithatë ende nuk dihet nëse vaksinat do të mbeten efektive kundër tij.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA), tha se virusi është “dramatikisht” i ndryshëm nga virusi origjinal dhe mutacioni i tij është “më i keqi që kemi parë deri më tani”.