Vendosni fjalën kyçe....

Salvadori planifikon ndërtimin e qytetit të parë ‘Bitcoin’ në botë


Salvadori planifikon të ndërtojë ‘Qytetin e Bitcoin’ të parë në botë, i financuar fillimisht nga bono të mbështetura nga Bitcoin, tha të shtunën presidenti Nayib Bukele, i cili po kërkon të shfrytëzojë monedhën kripto për të nxitur investimet në vendin e Amerikës Qendrore.

Duke folur në një veprimtari për mbylljen e një promovimi njëjavor të Bitcoin në Salvador, Bukele tha se qyteti i planifikuar në rajonin lindor të La Union do të merrte energji gjeotermale nga një vullkan dhe nuk do të vendoste asnjë taksë përveç taksës së vlerës së shtuar (TVSH).

“Investoni këtu dhe bëni të gjitha paratë që dëshironi,” tha Bukele në anglisht.

“Ky është një qytet plotësisht ekologjik që funksionon dhe merr energji nga një vullkan.” – shtoi ai.

Gjysma e TVSH-së së vendosur do të përdoret për të financuar obligacionet e emetuara për ndërtimin e qytetit dhe gjysma tjetër do të paguajë për shërbime të tilla, tha Bukele, duke vlerësuar se infrastruktura publike do të kushtonte rreth 300,000 Bitcoin.

Salvadori në shtator u bë vendi i parë në botë që miratoi Bitcoin si monedhë ligjore.

Megjithëse Bukele është një president popullor, sondazhet tregojnë se salvadoranët janë skeptikë për dashurinë e tij për Bitcoin dhe prezantimi i tij ka nxitur protesta kundër qeverisë.

Duke e krahasuar planin e tij me qytetet e themeluara nga Aleksandri i Madh, Bukele tha se Bitcoin City do të jetë rrethor, me një aeroport, zona rezidenciale dhe trebtare dhe do ketë një shesh qendror të projektuar që të duket si një simbol Bitcoin nga ajri.