Vendosni fjalën kyçe....

Biden në anestezi, Kamala Harris bëhet e para grua që merr përkohësisht pushtetin e Presidentit të SHBA-ve


Zëvendëspresidentja e SHBA-ve, Kamala Harris, është bërë gruaja e parë që përkohësisht mori kompetencat presidenciale, kur presidenti Joe Biden po i nënshtrohej një kontrolli mjekësor.

Harris kishte kompetencat e presidentit për plot 85 minuta të Premten, kur Biden u vendos nën anestezi për të kryer një kolonoskopi rutinë.

Mjeku i Bidenit publikoi ​​një deklaratë pas ndërhyrjes, duke thënë se ai ishte i shëndetshëm dhe i aftë për të kryer detyrat e tij.

Kontrolli mjekësor erdhi në prag të ditëlindjes së 79-të të presidentit.

Zonja Harris i kreu detyrat nga zyra e saj në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se transferimi i përkohshëm i pushtetit në rrethana të tilla nuk ishte i paprecedentë dhe se ishte pjesë e procesit të përcaktuar në kushtetutën e SHBA-ve.

“Siç ishte rasti kur Presidenti George W Bush kreu të njëjtën procedurë në vitet 2002 dhe 2007.”- tha ajo në një deklaratë, citon BBC.

Presidenti u pa i buzëqeshur teksa kthehej në Shtëpinë e Bardhë. “Ndihem mirë.”- tha ai.

“Presidenti Biden mbetet një mashkull i shëndetshëm, energjik, 78-vjeçar, i cili është i aftë për të kryer me sukses detyrat e presidentit.”- tha Kevin O’Connor, mjeku i presidentit.

Mjeku sqaroi se kolonoskopia gjeti një “polip me pamje beninje” që u hoq lehtësisht.