Vendosni fjalën kyçe....

Përmbyset automjeti me emigrantë të paligjshëm në Greqi, 7 të vdekur dhe 7 të plagosur


Autoritetet greke kanë raportuar këtë të premte se shtatë emigrantë janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur, pasi drejtuesi i mjetit me të cilin po udhëtonin humbi kontrollin dhe u përplas pranë një stacioni autostrade me pagesë në Greqinë veriore.

Policia tha të premten se automjeti me 15 persona po udhëtonte në një autostradë nga zona e kufirit verilindor të Greqisë me Turqinë në drejtim të qytetit kryesor në veri të Selanikut, kur u përplas pak pas mesnate.

Siç shkruan Kathimerini, duke iu referuar informacioneve nga Policia, automjeti po udhëtonte me shpejtësi të madhe dhe shoferi humbi kontrollin teksa u përpoq të dilte nga autostrada, duke goditur një kabinë për pagesat dhe duke u përplasur me një kontejner magazinimi aty pranë.

Të plagosurit ishin katër burra nga Pakistani, një nga Afganistani dhe dy nga Nepali, si dhe shoferi moldav 35-vjeçar, i cili sipas policisë vepronte si kontrabandist. Ata janë transportuar në spitalet në qytetet verilindore të Greqisë, Ksanthi dhe Komotini.

Ndërkohë për shtatë personat e vrarë në aksident nuk është bërë me dije kombësia, por mes tyre bën pjesë dhe një grua.

Greqia shtrihet përgjatë një prej rrugëve më të njohura për në Bashkimin Evropian për njerëzit që ikin nga varfëria dhe konflikti në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Rrugët më të përdorura për hyrjet klandestine në Greqi janë kalimi i shkurtër por i rrezikshëm detar nga bregu turk në ishujt grekë afër, ose kalimi i kufirit tokësor të ruajtur shumë midis Greqisë dhe Turqisë.